Futboll

Malisheva fiton me përmbysje të rezultatit

KF Malisheva

Skuadra e Malishevës ka shënuar fitore ndaj Suharekës si mysafir me përmbysje të rezultatit. Malisheva e mposhti skuadrën suharekase me rezultatin 3:1 në ndeshjen që ishte e vlefshme për javën e tetë të Superligës së Kosovës në futboll.

Suhareka e mbylli pjesën e parë në epërsi me golin që e shënoi sulmuesi Mevlan Zeka në minutën e nëntë. Në pjesën e dytë, Malisheva e përmbysi rezultatin.

Në minutën e 60-të, Arlind Veliu i barazoi shifrat. Veliut iu anulua një gol në pjesën e parë në minutën e 44-të për shkak të pozitës jashtë loje.

Për 2:1, realizoi Fatjon Bunjaku në minutën e 64-të. Drilon Hazrollaj ishte i saktë nga pika e bardhë në minutën e 83-të për 3:1.

Malisheva me fitore renditet në pozitën e parë me 17 pikë. Suhareka është në vendin e gjashtë me 13 pikë.