Futboll

Madridi zëvendëson lojtarë dhe shton trofe evropianë

Real Madrid fiton trofeun e Liges se Kampioneve

Foto: Associated Press

Real Madridi ka shtuar një kapitull të ri në historinë veçse mahnitëse në garën elitare evropiane për klube të futbollit. Me fitoren 2:0 ndaj Borussia Dortmundit në finalen në “Wembley”, të shtunën mbrëma, Madridi ka fituar trofeun më të vlefshëm evropian për herë të 15-të.

Rrëfimi i edicionit që përfundoi në “Wembley” ishte për dy gjenerata lojtarësh që u takuan, u shndërran në grup dhe në fushë funksionuan në mënyrën më të mirë, për të krijuar dinastinë e dytë të madhe që Reali kishte gjysmë shekulli që e kërkonte.

Gjithçka filloi kur edhe nisi gara evropiane për skuadrat kampione. Gjatë periudhës së Alfredo Di Stefanos së famshëm, madrilenët fituan pesë edicionet e para të Kupës Evropiane, duke nisur në viti 1956. Tjetër trofe evropian fituan në vitin 1966.

Rezultati aktual i të rinjve dhe veteranëve të Real Madridit ka bërë që të barazohet ajo arritje historike, me titullin e gjashtë brenda 11 edicioneve. Vetëm Dani Carvajal, që shënoi golin e parë, ishte titullar prej lojtarëve aktualë në kohën kur skuadra e fitoi trofeun e dhjetë evropian, një dekadë më parë.
Vinicius Jr, heroi i triumfit të 14-të në Paris, dy vjet më parë, të shtunën u bë braziliani i parë që realizoi në dy finale të Championsit dhe është simbol i të rinjve të Realit që kanë dëshmuar se mund të vazhdojnë me suksese të klubit.

“Pse të mos mendojmë për trofeun e shtatë? Ne nuk ndalemi, ne gjithnjë duam më shumë e më shumë”, ka thënë Carvajal.

Mbrojtësi, i cili barazoi rekordin e Paco Gentos me gjashtë trofe evropianë, së bashku me Toni Kroosin, Luka Modriqin dhe Nachon, ishte rezervist për kohë të gjatë. U shfaq këtë edicion dhe përfundoi duke ngritur trofeun e Championsit si kapiten i skuadrës.

“Nuk kam humbur asnjëherë në finale”, ka vazhduar Carvajal. “Të fitojmë trofeun e 15-të dhe të gjashtin personal, është e jashtëzakonshme. Duke vazhduar të fitojmë e bëjmë shumë më të vështirë për klubet tjera të na afrohen. Është e jashtëzakonshme ajo që klubi ka arritur gjatë historisë”.

Në mars,  trajneri Carlo Ancelotti ofroi një material treminutësh lidhur me menaxhimin e vuajtjes dhe lumturisë brenda zhveshtores së skuadrës, për të treguar kështu kompleksitetin e udhëheqjes së personaliteteve  në klubin që vazhdimisht është nën presion dhe që mban standard kaq të lartë. 
Ancelotti me mjeshtëri arriti të vazhdojë rritjen e skuadrës pasi Cristiano Ronaldo, Sergio Ramos, Marcelo, Karim Benzema  dhe Casemiro u larguan nga skuadra. Pos kësaj, 38-vjeçari Luka Modriq u bë lojtar i kohëpaskohshëm në skuadrën me emra të rinj e të talentuar.

Për edicionin e ardhshëm Ancelotti do të përballet me sfidë tjetër, atë për ta zëvendësuar Toni Kroosin. Për të finalja ishte ndeshja e fundit me Madridin. Gjermani i jashtëzakonshëm tërhiqet nga futbolli i luajtur pas Euro 2024.

Ancelotti, që si trajner mban rekordin për më së shumti finale të Championsit (6) dhe më së shumti trofe (5), nuk duket i brengosur për sfidën.

“Duhet të përshtatemi me lojarët që kemi dhe të nxjerrim më të mirën prej tyre, siç kemi bërë gjithnjë”, ka thënë Ancelotti në konferencë për shtyp.

“Këtë edicion kishim shumë probleme, kemi mbetur pa shumë lojtarë cilësorë. Kemi kaluar këtë me sakrificë kolektive. Nuk kemi luajtur gjithnjë në nivelin më të lartë, por nuk jemi dorëzuar asnjëherë. Me largimin e Kroosit mbesim pa një lojtar shumë të rëndësishëm. Por do ta zëvendësojmë atë në mënyrë tjetër. Do të mendojmë se si”, ka shtuar Ancelotti.