Portieri Andriy Lunin ka dërguar Real Madridin në gjysmëfinale të Championsit.
Ukrainasi priti dy goditje nga pika e bardhë, ndërsa Reali mposhti kampionin në fuqi, Manchester Cityn në penallti. 4:3 ishte rezultati në penallti. Pas 90 minutave rezultati ishte 1:1, ndërsa shifrat nuk ndryshuan as pas dy vazhdimeve nga 15 minuta.
Julian Alvarez shënoi i pari për Cityn, ndërsa goditjen e Luka Modriqit e ndali Edersoni. Më pas në skenë doli Lunin, që priti gjuajtjet e Bernardo Silvas dhe Mateo Kovaçiqit. Për Madridin realizuan rresht Jude Bellingham, Lucas Vazquez, Nacho Fernandez dhe në fund Antonio Rudiger. Phil Foden e Ederson konkretizuan dy penalltitë e fundit të Cityt, por që nuk mjaftuan.
Real Madridi i është revanshuar Cityt për eliminimin e edicionit të kaluar. City është kampion në fuqi, por Championsi do të ketë fitues tjetër.
Skuadra angleze ka dominuar në fushë gjatë 120 minutave lojë. Rodrygo kaloi në epërsi Madridin në minutën e 12-të, ndërsa Kevin De Bruyne barazoi rezultatin në minutën e 76-të. City kishte plot 34 raste shënimi dhe plot 11 goditje në kornizë të portës. Ndërkohë Real Madridi kishte tetë raste gjithsej dhe tri goditje në kornizë.
Por pas barazimit 3:3 në ndeshjen e parë, ndeshja në “Etihad” përfundoi 1:1 dhe penalltitë vendosën gjysmëfinalistin e garës elitare evropiane.
Mbretërit e Madridit në gjysmëfinale do të takohen me tashmë ish-kampionin gjerman, Bayernin.
Të mërkurën mbrëma në Munih, Bayerni e mposht Arsenalin me rezultatin 1:0. Ndeshja e parë çerekfinale në Londër kishte përfunduar 2:2 dhe me rezultatin e përgjithshëm 3:2, avancoi skuadra gjermane.
Momenti vendimtar i ndeshjes ishte ai i minutës së 63-të. Pas një krosimi të Raphael Guerreiros, Joshua Kimmish u shmang nga mbrojtësit e Arsenalit dhe gjuajti saktë me kokë për 1:0.
Ndeshja ishte e fortë dhe me plot raste shënimi. Të dy skuadrat kishin mundësi shënimi, por vetëm një herë topi përfundoi në rrjetë. Lojtarët e Bayernit i kishin plot 14 raste për gol, prej tyre katër goditje në kornizë të portës. Kanë goditur dy herë shtyllën. Arsenali i kishte tetë raste gjithsej, ndërsa tri goditje shkuan drejt në portë.
Bayerni e ka në Champions rastin e vetëm për ta shpëtuar edicionin. Tashmë ka humbur garën për Bundesligë dhe Kupën gjermane. Por me gjithë telashet, bavarezët kanë bërë vend në mesin e katër skuadrave më të mira evropiane. Në gjysmëfinale kthehen për herë të parë që nga viti 2020.
Arsenali ndërkohë do ta vazhdojë garën për titull të kampionit në Angli. Tashmë ka mbetur pak prapa Manchester Cityt, ndërsa pretendent është edhe Liverpooli.
Më i miri i ndeshjes ne Munih u shpall Kimmich.
“Ai ishte golashënues, por po ashtu shumë i mirë me topin dhe në defanzivë shumë i fortë. Ai e nxori Martinellin jashtë loje”, vlerësuan ekspertët e UEFA-s.
Spektakli nuk përfundon, shkon në vazhdime ndeshja City – Madrid
Nuk kanë dhënë fitues 90 minutat e ndeshjes mes Manchester Cityt dhe Real Madridit.
Rezultati është 1:1. Pasi edhe ndeshja e parë kishte përfunduar baras, gjysmëfinalisti i Championsit do të caktohet në dy vazhdimet nga 15 minuta, apo me penallti.
Barazon City
Manchester City ka barazuar në 1:1 rezultatin në ndeshjen ndaj Real Madridit.
Kevin De Bruyne shënoi në minutën e 76-të.
Madridi në epërsi pas pjesës së parë, shumë raste për Cityn
Ashtu si pritej, përballja mes Manchester Cityt dhe Real Madridit po ofron futboll të nivelit superior.
Pas pjesës së parë rezultati është 1:0 në të mirë të Madridit.Golin e vetëm e shënoi Rodrygo në minutën e 12-të.
City ka pasur raste të shumta, ka rrezikuar shpesh, por nuk ka konkretizuar.
Ndeshja e parë kishte përfunduar 3:3. Me rezultatin aktual, Real Madridi avancon në gjysmëfinale.
Reali në epërsi ndaj Cityt
Real Madridi e ka shënuar golin e parë në ndeshjen kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Rodrygo në minutën e 12-të ishte i pagabueshëm për epërsinë e madrilenëve në duelin kundër Manchester Cityt, që po luhet në “Etihad”.
Rodrygo u asistua nga Vinicius Junior.
Manchester City publikon formacionin ndaj Real Madridit
Pas Real Madridit, edhe Manchester City ka publikuar formacionin titullar për duelin kundër skuadrës spanjolle.
Formacioni i Manchester Cityt:
Ederson, Walker, Akanji, Dias, Gvardiol, Rodrigo, De Bruyne, Bernardo, Foden, Grealish, Haaland.
Ndeshja e parë mes Cityt dhe Real Madridit që u mbajt në “Santiago Bernabeu” u mbyll me rezultat 3:3.

Real Madridi publikon formacionin ndaj Manchester Cityt
Real Madridi ka publikuar formacionin titullar për duelin kundër Manchester Cityt.
Takimi Manchester City – Real Madrid nis në orën 21:00, dhe është dueli kthyes i çerekfinales së Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e parë në Madrid ishte mbyllur 3:3.
Formacioni i Real Madridit:
Lunin, Carvajal, Rudiger, Nacho, Mendy, Valverde, Camavinga, Kroos, Rodrygo, Bellingham, Vinicius Jr.