Futboll

Lukaku dëshiron të bashkohet me Conten

Lukaku

Sulmuesi belg, Romelu Lukaku, po dëshiron që nga edicioni i ardhshëm të luajë nën drejtimin e trajnerit Antonio Conte të Napoli.

Mësohet se Lukaku do ta ulë pagën e tij nga 11 milionë euro në sezon, në 6 milionë euro për t’u bashkuar me Napolin, pjesë e të cilit është edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. 31-vjeçari pritet të nënshkruajë kontratë trevjeçare me skuadrën italiane, shkruajnë të shtunën mediumet italiane.

Chelsea po i kërkon rreth 35 milionë euro për shërbimet e belgut, ndërsa Napoli raportohet se ka ofruar vetëm 25 milionë euro.

Lukaku te Napoli shihet si zëvendësuesi ideal i Victor Osimhenit, që pritet të transferohet te skuadra e Paris Saint-Germainit.

Belgu me Chelsean ka kontratë deri në vitin 2026. Në edicionin 2023/2024, luajti si i huazuar te Roma. Në 47 ndeshje të zhvilluara Lukaku shënoi 21 gola dhe bëri katër asistime. Me Belgjikën, Lukaku në “Euro 2024”, në 359 minuta të luajtura kontribuoi me një asistim.