Futboll

Lojtarët e Anglisë takohen me policinë pas shqetësimeve për racizëm

Anglia

Oficerët e policisë kanë informuar futbollistët e Anglisë për kërcënimin për racizmin “online” gjatë “Euro 2024”, duke i siguruar ata se do të marrin seriozisht çdo abuzim eventual gjatë turneut në Gjermani.

Marcus Rashford, Bukayo Saka dhe Jadon Sancho ishin në shënjestër pas humbjes së penalltive në disfatën e Anglisë në finalen e Evropianit të kaluar, në vitin 2021.

Por udhëheqësi i policisë së futbollit në Angli dhe Uells thotë se tani është më e lehtë për të ndjekur penalisht ata që bëjnë ofendim, sepse kompanitë e mediave sociale janë bërë më bashkëpunues.

“Ne u kemi shpjeguar lojtarëve se jemi atje për t’i mbështetur”, ka thënë shefi i policisë, Mark Roberts. Sipas tij, oficerët e policisë kanë njoftuar skuadrën angleze në bazën stërvitore në St George’s Park në muajin mars.

“Ne u kemi dhënë lojtarëve disa këshilla se si ata mund të mbrohen me krijimin e llogarive të tyre për të provuar dhe parandaluar që kjo të ndodhë. I kemi siguruar ata se do të jemi atje. Nëse njerëzit vazhdojnë me këto sjellje, ne do të merremi me këtë dhe ku është e mundur do të bëjmë ndjekje penale”.

Paralajmërimi i Robertsit erdhi në kohën kur autoritetet po përgatiten të dërgojnë forcat më të mëdha të policisë  britanike në një turne jashtë vendit në dhjetë vjetët e fundit. Qindra mijëra tifozë britanikë do të jenë në Gjermani gjatë qershorit.

“Është dëshpëruese kur sheh disa nga abuzimet që u bëhen lojtarëve tanë. Kështu që kemi bërë shumë punë me mediat sociale”, ka treguar Robert.

“Në një fazë na duheshin më shumë se gjashtë muaj që të merrnim detajet që na duheshin. Është shumë më pozitive tani dhe ne marrim mbështetje të mirë prej tyre. Periudha është disaditore, që do të thotë se ne mund të ndjekim penalisht përgjegjësit”.

Ai ka thënë se askush nuk mund të bëj fyerje në rrjetet sociale dhe të mbetet anonim. Ka paralajmëruar se përgjegjësit do të dënohen, mund të humbin vendin e punës dhe vendin në universitet.

“Vërtetë nuk ia vlen për një moment marrëzie”, ka thënë drejtuesi policor.

Roberts pret që më shumë se 300 mijë tifozë nga Mbretëria e Bashkuar të udhëtojnë për në Gjermani.