CSKA Sofja tregoi fytyrë të re në fitoren ndaj Beroes, 1:0, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën. Dora e trajnerit Aleksandar Tomash është tashmë e dukshme. Trajneri kishte zgjedhur një taktikë interesante dhe ndoshta do të jetë stili i ekipit kryeqytetas në të ardhmen.
Ekipi i CSKA-së kishte topin në zotërim për kohë shumë të gjatë, 71 %. Por gjëja më interesante që ra në sy ishte angazhimi i mbrojtësit Lumbardh Dellova, shkruan sajti bullgar “Nostrabet”.
Qendërmbrojtësi kosovar nisi thuajse çdo aksion të ekipit.
“Kështu, në fund të ndeshjes, mbrojtësi që gjatë dimrit refuzoi kalimin në Ludogorets, i kishte 131 pasime të sakta. Shkalla e saktësisë ishte e lakmueshme – 95 %. Reprezentuesi i Kosovës ka bërë vetëm shtatë gabime. Pothuajse në çdo rast, Dellova ka gjetur pasimin e duhur përpara ose thënë ndryshe ka nisur një sulm me pasim vertikal”, shkruan sajti bullgar, që ka postuar edhe videon e ndeshjes ku Dellova shihet mjaft aktiv.
Tutje sajti bullgar bën të ditur se Dellova pati edhe gjashtë pasime të sakta në distancë.
“Për shembull, mund ta shikoni minutën e 82-të kur ai me një pasim të gjatë gjeti bashkëkombësin, Zymer Bytyqi, i cili pranoi top u afrua drejt portës, por gjuajtja e tij u prit nga portieri i ekipit mysafir”.
Dellova iu bashkua për 350 mijë euro CSKA-së.
Mediumi bullgar shkruan se Dellova pritet të jetë partner i mbrojtjes me ish-kapitenin e Leeds Unitedit, Liam Cooper.
“Dellova, i cili së fundmi shkëlqeu me gol dhe notë të lartë për Kosovën në fitoren ndaj Qipros, 4:0, dhe klasi i padiskutueshëm i Liam Cooperit mund të jenë baza e një ekipi kampion. Ka shumë për t’u parë nga të dy lojtarët. Cooper do të debutojë për CSKA-në të shtunën”./Nostrabet