Pas dy paraqitjeve të pasuksesshme në kualifikimet e Ligës së Konferencës, Llapi do të testohet në nivel më të lartë evropian.
Në edicionin 2024/25, skuadra llapjane do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Evropës, që është niveli i dytë i garave evropiane për klube futbolli.
Në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës, Llapi do të përballet me skuadrën e njohur polake, Wisla Krakow. Ndeshja e parë zhvillohet të enjten nga ora 20:30 në Krakow të Polonisë. Ndeshja e kthimit është më 18 korrik në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Wisla është prej skuadrave më të famshme polake. Por ka pësuar një rënie të madhe në vitet e fundit. Në edicionin e kaluar u rendit e dhjeta në kategorinë e dytë të Polonisë, ku do të luajë edhe në edicionin e ardhshëm garues. Drejtor sportiv i kësaj skuadre është emëruar ditë më parë Vullnet Basha.
Wisla Krakow në Ligën e Evropës paraqitet si fituese e Kupës së Polonisë.
Prej vitit 1999 deri në vitin 2011, Wisla Krako i ka fituar tetë tituj të kampionit të Polonisë. Por tani po luan vetëm në kategorinë e dytë, ndërsa synim në edicionin e ardhshëm, njëjtë si në edicionin e kaluar, do të jetë kthimi në elitë.
Kundërshtarja e Llapit kthehet në Evropë pas 12 vjetësh. Ndërkohë Llapi garon në Evropë vetëm për herë të tretë. Në edicionin 2021-2022 u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. E eliminoi Shkupi. Në të njëjtin raund, në edicionin 2022-2023 e eliminoi Buduqnosti i Podgoricës.
“Shpresoj se ndeshja e nesërme, që është e rëndësishme për të dyja ekipet, do të luhet në një atmosferë të mirë. Për ne është kënaqësi të luajmë ndaj Wisla Krakowit, skuadrës së njohur. Shpresoj dhe besoj se lojtarët e mi do të japin gjithçka nga vetja. Do të jetë ndeshje e vështirë për ne. E dimë për ndryshimet që janë bërë në stafin e trajnerëve të Wisla Krakowit. Kemi informata, i kemi parë disa ndeshje dhe jemi përgatitur për këtë ndeshje. Kemi pasur sezon të mirë në ligë, por marrë parasysh ndryshimet në stafin e Wislas, pres ndeshje të vështirë”, ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina, në konferencë për shtyp, të mërkurën.
“Nuk ka favorit në këtë ndeshje. Wisla e ka fituar Kupën shtetërore, është skuadër solide, e fortë. Ne zumë vendin e dytë në Kosovë, por kemi luftuar për titull deri në fund. Për këtë mendoj se gjasat janë 50-50. Ne jemi përfaqësues të Superligës së Kosovës, Wisla është përfaqësuese e kategorisë së dytë të Polonisë. Për këtë arsye them se nuk ka favorit”, ka shtuar trajneri llapjan.
Skuadra llapjane është në Poloni, por në Podujevë, megjithatë, do të ketë ndeshje evropiane të enjten. Malisheva debuton në gara evropiane. Në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës përballet me Buduqnostin e Podgoricës. Ndeshja fillon në ora 17:00.
Buduqnosti është klubi më i njohur në Malin e Zi, por futbolli në këtë vend nuk shquhet për ndonjë nivel. Kështu që gjasat që Malisheva të debutojë me sukses në Evropë nuk janë të vogla.
Ndeshja luhet në “Zahir Pajaziti” në Podujevë, për shkak të rinovimit të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Është pritur që stadiumi në kryeqytet të hapet në fillim të korrikut, por kjo nuk ka ndodhur ende. Kështu që Ballkani, Llapi e Malisheva do të luajnë në Podujevë ndeshje evropiane e me shumë gjasë edhe Drita më pas.
Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës paraqiten edhe Shkëndija e Tetovës, Tirana, Partizani i Tiranës dhe Vllaznia e Shkodrës.