Futboll

Llapi synon ta mbajë vendin e parë edhe pas derbit me Dritën

Derbi Llapi - Drita

Në xhiron e kaluar, Ballkani barazoi pa gola me Prishtinën në udhëtim. Llapi nuk gaboi në shtëpi përballë Lirisë dhe fitoi 3:0, për të dalë në krye të tabelës. 

Ishin ndeshjet e fundit të fazës së tretë të kampionatit elitar të Kosovës. 

Llapi i drejtuar nga trajneri Tahir Batatina synon që të mbetet lider edhe pas fillimit të fazës së katërt të Superligës së Kosovës, ndonëse do të zhvillojë ndeshje derbi. 

Të dielën nga ora 15:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti”, Llapi lider me 54 pikë, e pret Dritën e vendit të tretë që ka 51 pikë. Ballkani është i dyti me 53 pikë. Pra gara për titull është e hapur. E tillë pritet të jetë deri në fund të kampionatit. 

Trajneri Tahir Batatina para ndeshjes e ka respektuar Dritën. Ka thënë se gjilanasit kanë shumë cilësi dhe do t’ua vështirësojnë punët për duelin derbi. 

“Po presim ndeshje të vështirë. Drita ka një super skuadër. Ka cilësi brenda skuadrës. Ka individ të mirë dhe grup të fortë të lojtarëve. Ne do t’i qasemi lojës si në çdo ndeshje tjetër, duke u munduar të bëjmë paraqitje të mirë, sepse kushtet dhe infrastruktura na mundëson të bëjmë lojë të mirë. Do të mundohemi të tregojmë paraqitje të mirë dhe t’i gëzojmë të gjithë tifozët”, ka thënë për KOHËN të shtunën trajneri Batatina. 

Duel të vështirë e ka vlerësuar edhe homologu i tij, Zekirija Ramadani. Trajneri shkupjan i bardhekaltërve ka shtuar se Llapi do ta ketë edhe përkrahjen e madhe të tifozëve. 

“Jam i bindur se stadiumi do të jetë i stërmbushur. Por mua më intereson Drita, ekipi im, futbollistët e mi. Mendoj se kemi eksperiencë të mjaftueshme për t’u përballur edhe me tifozëri të madhe dhe me skuadra të ndryshme. Siç ka ndodhur në shumë derbi, një moment mund ta vendosë derbin. Shpresoj që ai moment të jetë në anën tonë dhe normal objektivi jonë kryesor është fitorja”, është shprehur tekniku i Dritës në konferencën për shtyp të mbajtur të shtunën. 

Përkrah trajnerit Ramadani në konferencën për shtyp ishte edhe sulmuesi i krahut të majtë, Almir Ajzeraj. 

“Edhe kjo ndeshje është shumë e rëndësishme sepse përballemi me liderin e tabelës. Ne si në çdo lojë e kemi analizuar deri në detaje më të vogla kundërshtarin dhe do të shkojmë për fitore dhe të kthehemi aty ku e kemi vendin”, deklaroi Ajzeraj.

Ajzeraj ishte shënues i golit të vetëm në fitoren 1:0 më 22 tetor në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Drita kishte shënuar fitore 2:0 edhe në nisje të kampanjës së sivjetme më 13 gusht, kurse ndeshjen e fundit të zhvilluar në terrenin me bar sintetik, e fitoi Llapi 1:0. 

Të dielën në orarin prej orës 15:00, zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Një rezultat të favorshëm nga derbi Llapi – Drita, mund ta shfrytëzojë kampioni në i dy edicioneve të fundit në Kosovë, Ballkani, që në stadiumin e qytetit në Suharekë e pret Lirinë e Prizrenit. 

Liria është skuadra e fundit në tabelë me vetëm 10 pikë në 27 ndeshje. 

Ndërkohë, Feronikeli 74 e pret Prishtinën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Feronikeli 74 ka 29 pikë në vendin e tetë, që dërgon në barazh. Prishtina e pesta ka 39 pikë .