Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pranon se do të jetë i vështirë kalimi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës, pas disfatës 2:0 javën e kaluar nga Wisla Krakowi. Por, trajneri llapjan thotë se asgjë nuk është e pamundur. Batatina ka theksuar se ekipi i tij synon përmbysjen e rezultatit të ndeshjes së parë që u zhvillua në Krakow të Polonisë.
Ndeshja kthyese e raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës do të luhet të enjten nga ora 16:30, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Të enjten ndeshjen kthyese e luan edhe skuadra tjetër elitare, Malisheva. Malisheva e fitoi ndeshjen e parë ndaj Buduqnostit të Malit të Zi me rezultatin 1:0 në Podujevë. Ndeshjen kthyese të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës e luan në Podgoricë.
“Është ndeshje e vështirë pasi luajmë kundër një skuadre që ka eksperiencë. Por, ne do të mundohemi ta bëjmë maksimumin për ta përmbysur rezultatin. Asgjë nuk është e pamundur dhe do të mundohemi ta përmbysim rezultatin dhe të ecim tutje. Do të jetë dëm i madh që nuk do t’i kemi shikuesit në përkrahje. Ne jemi të flaktë për ta përmbysur rezultatin. Nuk kemi se çfarë të humbin dhe do të mundohemi të shënojmë herët gol, sepse në atë formë i afrohemi mundësisë së golit të dytë për ta dërguar ndeshjen në vazhdime. Por, duhet të kemi kujdes, sepse me një apo dy gabime ekipi ndëshkohet. Këtë e kemi parë në shumë ndeshje. Prandaj ne me kujdes do të mundohemi ta kthejmë rezultatin në favorin tonë”, ka thënë Batatina për KOHËN.
Ndeshja luhet pa shikues për shkak të një dënimi të mëhershëm të Llapit.
Batatina e ka vlerësuar Wislan, skuadër e cila luan në kategorinë së dytë të futbollit të Polonisë. Paraqitjen në Ligën e Evropës, Wisla e ka siguruar si fituese e Kupës shtetërore në edicionin e kaluar.
Wisla ka histori të pasur me trofe, por pas krizës që e pati ra në kategorinë e dytë.
Për Llapin kjo është paraqitja e tretë në Evropë. Në dy paraqitjet e para në kualifikimet e Ligës së Konferencës nuk pati sukses.
Në edicionin 2021/2022 u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ishte eliminuar nga Shkupi.
Në të njëjtin raund në edicionin 2022/2023, llapjanët ishin eliminuar nga Buduqnosti i Podgoricës.
Në rast të eliminimit, Llapi do ta vazhdojë rrugëtimin në Ligën e Konferencës, përkatësisht në raundin e dytë kualifikues.

Ndërkohë te Malisheva kanë besim se do të kalojnë në rrethin e dytë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës.
Malisheva e ka fituar ndeshjen e parë ndaj Buduqnostit me rezultat 1:0. Sfidën e kishte vendosur supergoli i mesfushorit Etnik Brruti.
Brruti shpreson të shënojë tjetër gol për ta ndihmuar ekipin e tij ta kalojë me sukses raundin e parë kualifikues të garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia.
Ndeshja Buduqnosti – Malisheva zhvillohet të enjten nga ora 21:00 në Podgoricë.
“Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por jemi përgatitur mirë dhe besojmë që do të kalojmë në raundin e dytë kualifikues. Goli i shënuar sigurisht që më ka motivuar mua dhe gjithë ekipin. Do ta japim maksimumin për ta kaluar raundin e parë të Ligës së Konferencës”, ka thënë Brruti për KOHËN.
Edhe trajneri i Malishevës, Qëndrim Kida, pret përballje të vështirë. Por ai thekson se synimi është fitorja në Podgoricë.
“Kemi besim që edhe ndeshjen e dytë do ta fitojmë dhe të kualifikohemi. Edhe pse nuk do të jetë e lehtë për shkak se ekipi kundërshtar do të bëjë presion dhe do të jetë krejt qasje tjetër nga ndeshja e parë. E kemi përgatitur mirë ndeshjen dhe shpresoj të kalojmë tutje”, ka thënë Kida për KOHËN.
Për Malishevën është hera e parë që paraqitet në kupat evropiane. Paraqitjen në Evropë e arriti nga pozita e katërt në kampionat.