Futboll

Llapi reagon për largimin e Feronikelit, ankohet në gjyqtarë

Llapi

Klubi i futbollit, Llapi, ka thënë se largimi i Feronikelit 74 nga garimi në Superligë është veprim që nuk kontribuon në zhvillimin e futbollit kosovar.

Klubi nga Drenasi njoftoi të enjten për tërheqjen nga garat elitare. Arsyetim u tha të jenë “pengesat dhe padrejtësitë e shumta nga referët”. E “kupa u mbush”, sipas Feronikelit, të mërkurën në ndeshjen ndaj Llapit.

Pikërisht Llapi në një reagim të enjten në mbrëmje ka thënë se është i shqetësuar me largimin e Feronikelit, ndërsa ka përsëritur edhe ankesat e veta në referim.

“Megjithatë, shqetësimi ynë ka qenë përherë konsistent: ne kërkojmë që gjërat në referim të rregullohen dhe kampionati të jetë sa më i drejtë dhe korrekt. Në një ndeshje të para dy javëve, pësuam një gol të parregullt që u anashkalua nga zyrtarët e ndeshjes, ndërsa gjyqtarët nuk u penalizuan për gabimin e bërë. Madje, disa nga gjyqtarët e përfshirë u vlerësuan me notën më të lartë. Për ne, nuk ka rëndësi kush dëmtohet apo favorizohet, por ky proces dëmton imazhin e futbollit kosovar”, thuhet në reagim të Llapit. “Kryesia e KF Llapit, për më shumë se 12 vite investon dhe kërkon transparencë e korrektësi në çdo ndeshje. Futbolli nuk duhet të përcaktohet nga investimet financiare apo nga preferencat e zyrtarëve. Është esenciale që çdo investim të respektohet dhe që asnjë klub të mos ndihet i dëmtuar apo i favorizuar. As në futbollin evropian nuk ndodh që gjyqtarët të ndikojnë në rezultatet e ndeshjeve sipas dëshirave personale”.

Llapi ka thënë se është koha që të ketë kampionat të drejtë dhe të ndershëm.