Klubi i futbollit Llapi ka kërkuar të merren masa ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes Llapi – Malisheva, Erdall Zasella dhe gjyqtarit të VAR-it, Valon Bajgora. Sipas Llapit, Zasella dhe Bajgora janë fajtorët kryesore për penalltinë e anuluar sipas tyre “padrejtësisht”.
Reagimi ka ardhur pak minuta pasi Federata e Futbollit e Kosovës publikoi në kanalin e saj zyrtar në Youtube rastet kontestuese të xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në futboll.
“Në ndeshjen Llapi – Malisheva, edhe një herë sistemi VAR dhe vendimet e gjyqtarëve na kanë dëmtuar drejtpërdrejt. Jemi mirënjohës ndaj vlerësuesit të rasteve nga FFK, Petrit Hadri, i cili ka konfirmuar se vendimi për anulimin e penalltisë ishte i gabuar. Kjo vetëm sa e vërteton atë që ne kemi përsëritur vazhdimisht: gabimet e gjyqtarëve po ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet tona dhe në ecurinë e kampionatit. Kërkojmë që Federata e Futbollit e Kosovës të marrë masa të rrepta ndaj gjyqtarit kryesor, Erdall Zasella, dhe gjyqtarit në VAR, Valon Bajgora, të cilët janë fajtorët kryesor për këtë penallti të anuluar padrejtësisht. Gabime të tilla të përsëritura nuk mund të kalojnë pa pasoja, pasi pikët e humbura po e dëmtojnë klubin tonë në mënyrë të padrejtë”, shkruan në reagimin Beqir Batatinës, kryetarit të klubit Llapi.
Reagimi i kryetarit Batatina u publikua në faqen zyrtare të Llapit.