Futboll

Llapi mbetet i parafundit e Batatina optimist

Tahir Batatina

Llapi ishte shumë afër që të merrte pikët e plota të shtunën në ndeshjen e fortë ndaj kampionit të tri edicioneve të fundit në Kosovë, Ballkanit. 

Llapi ishte në epërsi prej minutës së 28-të, kur Ardit Tahiri shënoi nga penalltia. Por, pësoi gol nga sulmuesi Sunday Adetunji në minutën e parë të kohës shtesë. Kështu, nga stadiumi “Zahir Pajaziti” në ndeshjen e xhiros së 26-të të Superligës, Llapi dhe Ballkani dolën me nga një pikë të fituar. 

Fitorja do ta ndihmonte shumë Llapin për dalje nga zona që dërgon në kategorinë e dytë të futbollit kosovar. Por, pas barazimit, Llapi mbetet i parafundit me 30 pikë. Pozita e parafundit në fund të edicionit dërgon në kategorinë e dytë.

Trajneri Tahir Batatina thotë se Llapit i mungoi fati në këtë ballafaqim, por nuk shqetësohet për pozitën në tabelë. 

Për trajnerin Batatina synim i qartë është triumfi i radhës në Kupë të Kosovës dhe kështu dalja në gara evropiane. 

“Nuk patëm fat. Në pjesën e parë ishim dominues. Përveç golit kishim edhe shanse të mira për të realizuar. Dhe kur nuk finalizon, pason ndëshkimi. Dhamë gjithçka në ndeshje por fati nuk ishte në anën tonë pasi në minutat shtesë pranuam golin e barazimit. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Kjo është një ndeshje që ka përfunduar”, ka deklaruar Tahir Batatina të dielën për KOHËN. 

Gara për të shmangur rënien vlerësohet shumë e fortë. Feronikeli 74 i ka vetëm 14 pikë dhe tashmë mund të bëhet gati për paraqitje në Ligën e Parë në edicionin e ardhshëm. Prej pozitës së katërt të gjitha skuadrat llogariten të rrezikuara.Prishtina, që është e katërta, Gjilani dhe Ferizaj kanë nga 35 pikë. Suhareka dhe Dukagjini janë në vendin e shtatë e të tetë dhe kanë nga 32 pikë. Pastaj është Llapi me 30 pikë. 

Kanë mbetur edhe dhjetë xhiro dhe në lojë janë edhe plot 30 pikë. 

“Me një ndeshje mund të jesh lartë, me një tjetër poshtë. Do të jetë një kampionat shumë interesant për pjesën se cilat skuadra do të kalojnë në Evropë dhe cilat do të mbesin në elitë. Mendoj se do të jetë një kampionat shumë më interesant, për arsye se titulli nëse i shohim paraqitjet e Dritës, thuajse është punë e mbyllur. Ndërkohë, skuadrat tjera do të luftojnë për Evropë dhe për pjesën për të mbetur në ligë. Do të jetë kampionat shumë rivalizues dhe shumë interesant”, ka thënë Batatina, që me Llapin ka triumfuar dy herë në Kupën e Kosovës. 

Në edicionin 2020/21, Llapi e mposhti Dukagjinin në finale pas ekzekutimit të penalltive, 4:3, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet ishin mbyllur 1:1. Menjëherë në edicionin pasues, kishte triumfuar 2:1 ndaj Dritës. 

Batatina kërkon tjetër dalje në Ligën e Evropës nëpërmjet triumfit në Kupë të Kosovës. 

Më 9 prill Llapi e luan ndaj Drenicës ndeshjen e parë gjysmëfinale, ndërsa dueli kthyes do të jetë më 23 prill. Gjysmëfinalja tjetër është mes Prishtinës dhe Dritës. 

“Projekti im është kupa dhe fokusi ynë është në kupë. Nëpërmjet saj synojmë të luajmë përsëri në Ligën e Evropës. Besoj se kemi potencial në skuadër dhe besoj se kemi mundësi për ta arritur objektivin. Shpresoj të jemi fillimisht në finale e pastaj finalja është finale. Çdo skuadër e dëshiron finalen dhe besoj se me punë në ndeshjet që na kanë mbetur, të jemi të përqendruar maksimalisht dhe ta arrijmë objektivin që të jemi në finale. Pastaj të shohim. Por, objektivi jonë kryesor është ta fitojmë kupën e tretë, por edhe të marrim pjesë në garat evropiane”.

Llapi në garat evropiane ka luajtur në tri edicione. Për herë të parë luajti në edicionin 2021/22, por u eliminua nga Shkupi në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në të njëjtin raund ishte eliminuar nga Buduqnosti i Podgoricës në edicionin 2022/23. Këtë edicion, Llapi ishte paraqitur në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, por kishte humbur nga skuadra e njohur polake, Wisla Krakow. Më pas ishte përballur me Brondbyn danez në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, por sërish nuk pati sukses. 

Dy skuadrat e fundit në Superligë bien në kategorinë e dytë. Skuadra e vendit të tetë shkon në barazh. Gara për titull thuajse ka përfunduar. Drita është e para me 57 pikë, ndërsa Ballkani i dyti me 44. Malisheva është e treta me 41 pikë.