Skuadra e Llapit nuk ka fituar që nga shtatori i vitit të kaluar në Superligën e Kosovës në futboll. Për më tepër është në vendin e parafundit me vetëm 18 pikë.
Vetëm Feronikeli 74 është më poshtë se Llapi në tabelë.
Por pozita që mban aktualisht Llapi duket se nuk e shqetëson trajnerin Tahir Batatina. Batatina ka besim se Llapi do të largohet shpejt nga pozita e parafundit.
Llapi të shtunën, në kuadër të xhiros së parë të stinorit pranveror humbi 1:0 në Podujevë nga Gjilani. Ndeshja i takoi xhiros së 19-të.
“Do të vazhdojmë tutje drejt pesëshes së parë dhe ta sjellim për herë të tretë Kupën në Podujevë”, ka thënë Batatina për KOHËN, të dielën.
Pas fitores ndaj Suharekës 3:0 më 27 shtator të vitit të kaluar në stadiumin “Zahir Pajzaiti” në Podujevë, në kuadër të xhiros së shtatë të Supeligës, Llapi rreshtoi shtatë humbje e pesë barazime.
Por Batatina insiston se Llapi do ta përfundojë lart në tabelë edicionin 2024/2025.
“Do të fokusohemi maksimalisht në garën e Kupës, ta fitojmë atë dhe të dalim në Evropë si dhe të përfundojmë kampionatin në pesëshen e parë”, është shprehur tutje Batatina.
Llapi zë vendin e nëntë me 18 pikë. Feronikeli 74 është i fundit me dhjetë pikë, ndërsa Ferizaj zë vendin e tetë me 20 pikë. Skuadra e vendit të tetë luan ndeshje barazhi për mbetje në elitë, ndërsa skuadrat e dy vendeve të fundit bien nga Superliga.
Ferizaj të hënën luan ndaj Feronikelit 74. Një fitore e Ferizajt do të thellonte edhe më shumë Llapin në krizë.
Batatina thotë se ka skuadër bindshëm më të mirë se rivalët për mbijetesë.
“Skuadra tjera nuk kanë ngritje në lojë dhe cilësi më të madhe se Llapi. Në momentin që Llapi do ta shënojë fitoren e parë, nuk do të ndalet më”, ka shtuar ai.
Batatina bëri disa ndryshime si në shtabin teknik ashtu edhe në ekip. Pas përfundimit të stinorit vjeshtor zëvendësoi ndihmësit e tij, ndërsa nga posti i drejtorit sportiv u largua Mentor Zhdrella.
Ndryshimet i bëri pas zhgënjimit në vjeshtë.
Kryetrajneri Batatina thekson se ka parë shumë progres në lojën e Llapit ndaj Gjilanit, krahasuar me paraqitjet në vjeshtë.
Përgatitjet për stinorin pranveror, Llapi i zhvilloi edhe në Antalia të Turqisë.
“Me ndeshjen që kemi treguar të shtunën, nuk jam i brengosur fare. Llapi ka treguar pasqyrë tjetër nga stinori vjeshtor. Fati ishte në anën e Gjilanit. Të gjithë që e kanë parë ndeshjen, kanë parë Llapin duke dominuar në të gjitha aspektet. Mendoj se fati ka qenë akteri kryesor, pasi kishim pesë raste për gola, të cilat nuk u konkretizuan. Por, Llapi tregoi të shtunën se është ndryshe në stinorin pranveror. Nuk jam i brengosur fare, ka edhe shumë ndeshje. Llapi ka arritur formën e duhur dhe shumë shpejt do të vijmë te fitoret dhe do të ngjitemi lart në tabelë. Unë besoj se Llapi do ta mbyllë kampionatin në pesëshen e parë, pasi skuadra e ka marrë formën e duhur dhe pavarësisht disfatë së pësuar, mendoj se Llapi ka treguar se ka potencial për ta mbyllur edicionin në pesëshen e parë. Dihet që ndeshjet e para janë gjithmonë të vështira edhe pse e dominuam kundërshtarin. Ndoshta fati ishte në anën e Gjilanit. Kenan Haxhihmaza ishte vendimtar me paraqitjen e tij”.
Në xhiron e 20-të Llapi luan në udhëtim ndaj Feronikeli 74. Para ndeshjes në Drenas, Llapi e pret Vushtrrinë të mërkurën në kuadër të një të tetës së finales të Kupës së Kosovës.
Llapi e ka fituar dy herë Kupën e Kosovës, ndërsa daljen në Evropë synon ta arrijë sërish nëpërmjet Kupës. Pra, ta fitojë për herë të tretë.