Futboll

Liverpooli siguron shërbimet e Chiesas

Federico cHIESA

Foto: Associated Press

Liverpooli ka arritur marrëveshje për transferimin e futbollistit të Juventusit, Federico Chiesa. 

“Të kuqtë” do t’i shpenzojnë pak më shumë se 13 milionë euro për sulmuesin që përfaqëson Italinë. 

26-vjeçari Chiesa do t’i kryejë të mërkurën në mbrëmje testet mjekësore, ndërsa do të bëhet transferimi i parë për skuadrën që drejtohet nga Arne Slot. 

Chiesa për “Sportitalia” ka thënë se “është i gatshëm për aventurën e re”. 

Ai ishte yll i Italisë në “Euro 2020”, kur Italia e fitoi Kampionatin Evropian, pasi në finale e kishte mposhtur Anglinë në “Wembley”, pas ekzekutimit të penalltive. Chiesa realizoi 32 gola në 131 paraqitje për Juventusin. 
Dhjetë gola të shënuar i pati në edicionin e kaluar, në 37 paraqitje.  Por, nuk ishte pjesë e projektit të Thiago Mottas dhe vendosi të largohej nga skuadra. 

Liverpooli arriti marrëveshje të martën edhe me portierin gjeorgjian të Valencias, Giorgi Mamardashvili, por ai nuk do t’i bashkohet klubit anglez deri në sezonin e ardhshëm.