Mesfushori Thiago Alcantara dhe mbrojtësi Joel Matip do të largohen në fund të edicionit nga skuadra e Liverpoolit.
Lajmi është bërë i ditur të premten nga vetë klubi anglez.
Spanjolli Thiago iu bashkua Liverpoolit në vitin 2020 nga Bayern Muncheni për 22 milionë euro. Ai në 98 paraqitje për skuadrën angleze ka shënuar tri gola dhe ka kontribuar me gjashtë asistime. 33-vjeçari, Thiago i ka falënderuar gjithë mbështetësit për aventurën e kaluar në “Anfield”.
“Vlerësim dhe mirënjohje. Këto janë dy fjalët që më vijnë në mendje ditën kur ju them lamtumirë të gjithëve. Ju faleminderit shumë për mundësinë që më keni dhënë që të jem pjesë e këtij qyteti, këtij klubi dhe këtij komuniteti. Mbështetja e vazhdueshme që kam marrë nga dita e parë ka qenë e pabesueshme. Këto katër vitet e fundit kanë qenë një përvojë mësimi për mua dhe familjen time. Disa fitore, disa humbje, por pa dyshim, një përvojë që më ka ndryshuar jetën”, deklaroi Thiago.
Mbrojtësi Joel Matip te Liverpooli u transferua si lojtar i lirë nga skuadra gjermane Schalke në vitin 2016. Kamerunasi me Liverpoolin ka shënuar 11 gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 201 paraqitje.
32-vjeçari është shprehur i lumtur për periudhën e kaluar te Liverpooli.
“Kanë qenë tetë vite të mrekullueshme këtu në Liverpool. Më lejuan të jem pjesë e një historie emocionuese me një trajner të madh dhe një ekip mahnitës në një klub të jashtëzakonshëm. Kemi arritur tituj të mëdhenj dhe kemi tifozët më të mirë në botë”, u shpreh Matip. Me Liverpoolin, Matip ka fituar shtatë trofe të mëdhenj duke përfshirë Ligën e Kampionëve në vitin 2019 dhe Premier Leaguen në vitin 2020.