Manchester City ishte duke udhëhequr 3:0 ndaj Feyenoordit, në mesjavë në “Etihad” në kuadër të Ligës së Kampionëve. Por në mënyrë të pashpjegueshme skuadra e Pep Guardiolas pësoi tre gola në minutat e fundit dhe mori vetëm një pikë nga ajo ndeshje.
Barazimi 3:3 me skuadrën holandeze i dha fund serisë prej pesë humbjeve të Manchester Cityt, kampionit në fuqi të Anglisë.
City të dielën nga ora 17:00 është para një ndeshjeje tjetër shumë të vështirë. Do të jetë mysafir i Liverpoolit në superderbin e xhiros së 13-të të Premier Leagues. Është ndeshja e fundit e xhiros.
Liverpooli po shkatërron çdo gjë para vetes këtë edicion. Në Premier League udhëheq me 31 pikë. Manchester City është i dyti me 23 pikë. Liverpooli është lider edhe në Ligën e Kampionëve, ku i ka fituar pesë ndeshjet. Në mesjavë fitoi 2:0 ndaj Real Madridit. Kjo fitore ka bërë që skuadra e trajnerit Arne Slot të hyjë në derbi me Cityn në momentin më të mirë të mundshëm. Mbetet të shihet nëse City do të thellohet në krizë apo do të bëjë hap të rëndësishëm në rrugën drejt kthimit te sukseset.
Të dielën luhen të tjera ndeshje të rëndësishme. Nga ora 14:30, Chelsea e pret Aston Villan. Manchester United – Everton dhe Tottenham Hotspur – Fulham janë ndeshjet e tjera që zhvillohen nga ora 14:30.
Arsenali luan ndaj West Hamit, të shtunën nga ora 18:30.