Futboll

Liverpooli i afrohet titullit, dërgon Leicesterin në kategorinë e dytë

Liverpool

Foto: Associated Press

Liverpooli i është afruar titullit të Premier Leagues në tri pikë, pas fitores 1:0 në udhëtim te Leicester City, duke i dërguar “dhelprat” në kategorinë e dytë të futbollit anglez.

Liverpooli mund të konfirmohet si kampion i ri i elitës angleze të mërkurën, nëse Arsenali mposhtet në shtëpi nga Crystal Palace. Nëse Arsenali fiton, Liverpoolit do t’i kryente punë fitorja ndaj Tottenhamit në “Anfield”, për festën e madhe para tifozëve të vet të dielën e ardhshme. 

Liverpooli prin në tabelë me 79 pikë pas 33 xhirove, ndërsa Leicesteri në sezonin tjetër do të luajë në “Championship”, pasi ka mbledhur vetëm 18 pikë.

Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe pesë xhiro.

Golin e fitores e shënoi mbrojtësi Trent Alexander-Arnold, për të cilin flitet se mund të largohet në verë te Real Madridi.

Alexander-Arnold realizoi në minutën e 76-të. Topi para shënimit të tij me goditje të fuqishme nga zona, e qëlloi fillimisht shtyllën pingule e më pas transversalen, para se të vinte te mbrojtësi anglez që realizoi bukur.

Në ndeshjen që u zhvillua të dielën te Leicester City debutoi sulmuesi 15-vjeçar, Jeremy Monga.

Por, Monga dhe skuadra e tij do të luajnë sërish në kategorinë e dytë vetëm 12 muaj pasi siguruan promovimin në Premier League si kampion.