Kombëtarja e Shqipërisë ka fituar pikët e para në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.
Të hënën mbrëma në “Arena Kombëtare” në Tiranë, kuqezinjtë fituan 3:0 ndaj Andorrës. Shqipëria ishte favorite e madhe, kështu që fitorja ndaj Andorrës edhe pritej.
Të përzgjedhurve të Sylvinhos u ka mjaftuar shkëlqimi në pjesën e parë, ndonëse në fushë kanë dominuar edhe në pjesën e dytë.
Rey Manaj i shënoi të dy golat parë të fitores së rëndësishme.
28-vjeçari shënoi për 1:0 në minutën e nëntë. Realizoi me goditje të bukur me kokë, pas krosimit të Kristjan Asllanit nga një goditje dënimi. Për 2:0 Manaj shënoi në minutën e 19-të. Armando Broja kaloi disa lojtarë të Andorrës dhe pasoi për Manajn që goditi saktë nga zona. Manaj tani i ka dhjetë gola për Shqipërinë.
Gola të tjerë nuk u shënuan deri në minutat shtesë, ndonëse Shqipëria dominoi plotësisht. Në minutën e 92-të për 3:0 shënoi Myrto Uzuni. Asistues ishte Arbër Hoxha.
Shqipëria ofroi reagimin e pritur pas paraqitjes së zbehtë të premten në “Wembley” ku humbi 2:0 nga Anglia. Pos që humbën, kuqezinjtë nuk shfaqën thuajse asgjë ndaj Anglisë superiore.
Krejt ndryshe ishte të hënën mbrëma, por kundërshtari natyrisht ishte i nivelit dukshëm më të ulët.
Ndeshjen e ardhshme Shqipëria e ka më 7 qershor. Mund të jetë ndeshja më e rëndësishme e këtij cikli kualifikues. Në “Arenën Kombëtare”, Shqipëria e pret Serbinë, ndoshta rivalen direkte për vendin e dytë në grup.
Armando Broja: I gëzuar që dola nga fusha në gjendje të mirë fizike
Armando Broja ka startuar te Shqipëria dhe ka shkëlqyer në pjesën e parë. Ai është zëvendësuar në mesin e pjesës së dytë, ndërsa nuk pati ndonjë telashe me lëndime. Broja ka munguar gjatë vitet e fundit për shkak të lëndimeve.
“Jam shumë i kënaqur që trajneri më ka dhënë shansin që të filloj ndeshjen. I gëzuar që dola jashtë fushës mirë fizikisht. Edhe më i kënaqur që fituam 3:0. Ishte ndeshje e vështirë, pasi Andorra qëndron shumë prapa. Sot kemi luajtur mirë dhe morëm tri pikë të rëndësishme. Manaj është sulmues që pëlqen të shënoj gola. Edhe unë pëlqej të shënoj gola, por mund të luaj edhe në krah. Dhe mund të asistojë po ashtu. Ambienti ishte shumë i mirë dhe unë jam shumë i kënaqur që kemi fituar. E dimë se do të jetë e vështirë. Në Kupë të Botës shkojnë vetëm më të mirët. Kemi edhe Serbinë, Anglinë, Letoninë. Por jemi Kombëtare që mund të kualifikohemi në Kupë të Botës. Por duhet të qëndrojmë të gjithë së bashku dhe të bëjmë hapin para. Ka shanse për kualifikim në Botëror. Gjithnjë ka shanse në jetë. Jemi Kombëtare që mund të luajmë futboll të mirë. Kemi lojtarë që luajnë në nivel të lartë. Nëse jemi të fokusuar dhe të bashkuar, është e mundur. Por do të jetë e vështirë, natyrisht”, ka thënë Broja.
Sylvinho: Na duhej kjo fitore, jemi duke u përmirësuar
Selektori i Shqipërisë, Sylvinho, ka vlerësuar fitoren ndaj Andorrës. Ai ka thënë se ndaj Anglisë nuk ishte e mundur të luhej në mënyrë të njëjtë.
“Janë dy ndeshje shumë të ndryshme. Anglia është kombëtare shumë e fortë dhe jemi munduar me kundërsulme. Me Andorrën ishte krejt ndryshe. Kemi përdorur me Hoxhën e Brojën në krahë. Kemi provuar edhe Shehun që bëri paraqitje shumë të mirë.
Na duhej kjo fitore për të rihyrë në lojë. Rrugëtimi për në Botëror është më ndryshe. Jemi duke u përmirësuar, por është më e vështirë të shkojmë në Botëror. Tani shikojmë drejt ndeshjeve të qershorit.
Jam shumë i lumtur me Brojën. Shpresoj të mos pësojë lëndime tjera. Jam i lumtur me të gjithë lojtarët që kanë bërë ndeshje shumë të mirë”, ka thënë Sylvinho.
Adrion Pajaziti: Jam shumë krenar dhe shumë i lumtur
Adrion Pajaziti e ka luajtur ndeshjen e parë për Shqipërinë në “Arenën Kombëtare”. Ai debutoi ndaj Anglisë, ndërsa e fitoi rastin edhe ndaj Andorrës, të hënën mbrëma.
“Jam shumë krenar dhe shumë i lumtur. E kam pritur këtë moment dhe jam shumë i lumtur. Moment i mirë, jam lutur që të më thërras trajneri. Çdo lojtar ka dëshirë të luaj dhe unë jam i gatshëm të jap maksimumin. E kam besimin e trajnerit dhe besoj se jam paraqitur mirë në të dy ndeshjet. Kur t’i duhem trajnerit unë jam gati. Grupi i lojtarëve është shumë mirë dhe ndihem shumë mirë”, ka thënë Pajaziti.
Ndërkohë Kristjan Asllani ka thënë se e fitorja është e rëndësishme.
“Rezultati është gjëja kryesore sonte. Sonte e kishim topin, para tri ditësh nuk e kishim asnjëherë. E kemi zhbllokuar ndeshjen herët dhe kjo ka rëndësi. Nëse nuk do të shënonim, do të bëhej më e vështirë. Gjithë skuadra bëri ndeshje të mirë. Të luaj para tifozëve tanë është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Asllani.
Rey Manaj ka thënë se nuk është e rëndësishme kush shënon, por që të fitohen ndeshjet.
“Me Asllanin kemi një komunikim të mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm. Ia lëmë kohës. Me Anglinë zhvilluam ndeshje të mirë, por duhet të kesh shumë fat në ato ndeshje. Edhe sonte ishte ndeshje e vështirë. Është Andorra por është vështirë të thyhet kur luan me nëntë lojtarë prapa. Është mirë që shënuam herët dhe më pas ishte më e lehtë. Trajneri kërkon të fitojmë kur futemi në fushë. Është mirë që fituam para ndeshjeve të qershorit. Jam shumë i kënaqur me të gjithë lojtarët. Jam i kënaqur edhe me kthimin e Brojës, Hoxhën, Uzunin që shënoi në fund”, ka thënë Manaj.
Gjimshiti: Fitore e rëndësishme
Mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, tha se ishte me rëndësi të fitohej ndeshja kundër Andorrës. Shqipëria triumfoi 3:0 në "Air Albania" të hënën mbrëma.
“Përgjigja jo vetëm për tifozët por edhe për ne. Ishte e rëndësishme të rikuperohemi sa më shpejt nga ndeshja me Anglinë. E rëndësishme që shënuam herët me Manajn dhe kjo ishte vendimtare për ta fituar këtë ndeshje. Nuk kishim shumë kohë për të analizuar kundërshtarin, ishim të lodhur nga ndeshja me Anglinë dhe udhëtimi. Ka gjëra që mund t’i bëjmë më mirë, por jemi të lumtur që kemi fituar tri pikët. Kam një problem prej shumë kohës në kavilje, por shpresoj se do të përmirësohet gjendja. Sonte nuk kemi dashur të rrezikonim dhe për këtë arsye u largova më herët. Do të përmirësohemi me kalimin e kohës dhe do të luajmë edhe më bukur. Gjëja më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjen”.
Shqipëria dominon në pjesën e parë
Shqipëria ka dominuar plotësisht në pjesën e parë të ndeshjes kundër Andorrës.
Me dy golat e Rey Manajt, Shqipëria e ka mbyllur me rezultat 2:0 pjesën e parë të ndeshjes kundër Andorrës. Ndeshja Shqipëri – Andorrë po luhet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë dhe i takon Grupit K kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Manaj i shënoi dy golat brenda dhjetë minutave. Të parin e shënoi me kokë në minutën e nëntë pas harkimit të Kristjan Asllanit, kurse golin e dytë e shënoi në minutën e 19-të pas asistimit të Armando Brojës.
Andorra nuk rrezikoi asnjëherë portën e Shqipërisë gjatë 45 minutave të pjesës së parë.
Shqipëria nuk ndalet, shënon golin e dytë
Sulmuesi Rey Manaj ka shënuar tjetër gol ndaj Andorrës.
Manaj shënoi golin për 2:0 në minutën e 19-të.
Ai u asistua nga Armando Broja.
Thirrje në kor kundër Armand Dukës
Në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë ku po luhet ndeshja Shqipëri – Andorrë, janë dëgjuar në kor thirrje e shikuesve kundër presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSFH), Armand Duka.
Shqipëria në epërsi
Shqipëria ka kaluar në epërsi në ndeshjen ndaj Andorrës.
Golin për 1:0 e shënoi Rey Manaj në minutën e nëntë.
Ai realizoi me kokë pas harkimit të Kristjan Asllanit.