Futbollistët e Kosovës e kanë fituar ndeshjen e parë të plejofit për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Të enjten në mbrëmje në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri” në Prishtinë, “Dardanët” fituan 2:1.
Kosova ishte më aktive në fillimin e ndeshjes dhe me meritë kaloi në epërsi.
Qendërmbrojtësi i CSKA Sofjes, Lumbardh Dellova, pranoi pasimin e Amir Rrahmanit, dhe me gjuajtje të saktë e mposhti portierin kundërshtar në minutën e 19-të. Ishte goli i tij i dytë me fanellën e Kosovës.
Por gëzimi zgjati vetëm tre minuta.
Pas një kundërsulmi të shpejtë, kapiteni Orri Oskarsson në minutën e 22-të, i barazoi shifrat në 1:1.
Gol të bukur për Kosovën realizoi edhe mesfushori i Augsburgut, Elvis Rexhbeçaj. Rexhbeçaj në minutën e 58-të shënoi me gjuajte të saktë nga distanca, me ndihmën e shtyllës pingule. Për të ishte goli i parë me Kosovën në ndeshjen e gjashtë.
Kosovës në minutën e 76-të iu anulua edhe një gol i kapitenit Amir Rrahmani.
Merita për fitoren e Kosovës pati edhe portieri Arijanet Muriq, që u shqua me disa pritje.
Te Kosova të enjten debutoi Vesel Demaku, mesfushori i Altachut të Bundesligës austriake.
Kosova ndeshjen kthyese do ta luajë më 23 mars në Murcia të Spanjës, pasi stadiumi në Reykjavik ku Islanda i zhvillon ndeshjet, është në renovim.
Foda: Patëm mundësi të shënonim më tepër gola
Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka deklaruar se Kosova luajti mirë dhe e meritoi fitoren.
Ai ka shtuar se ndryshimet e bëra në pjesë të dytë patën efekt.
Foda shtoi se Kosova pati raste të shënonte më tepër gola.
“Në 15 minutat e para të lojës luajtëm mirë dhe kaluam me meritë në epërsi. Por më pas e humbëm kontrollin e lojës pak. Nuk funksionoi ashtu si mendova në fillim. Pas pjesës së parë kemi bërë disa ndryshime. Kemi ndryshuar edhe sistemin e lojës. Jam i lumtur me pjesën e dytë dhe jam i kënaqur me gjithë ekipin. I kishim mundësitë që të shënonim më shumë gola, por Islandës patjetër që i duhet fitorja. Nëse vazhdojmë me lojën e njëjtë si në pjesën e dytë do të jetë e vështirë për Islandën, ndërsa ne synojmë Ligën B”, ka deklaruar Foda.
Muriq thotë se Kosova ishte më e mirë
Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, tha pas ndeshjes se e kanë merituar fitoren. Por ka shtuar se ndeshja ka mundur të mbyllet më herët. Muriq është shquar me shumë pritje ndaj Islandës.
“Mendoj se është kënaqësi t’i dërgojmë tifozët në shtëpi me buzëqeshje. Kemi mundur ta mbyllim ndeshjen më herët. Por, jemi të lumtur me fitoren. Kemi luajtur mirë në përgjithësi dhe kjo është e rëndësishme. Ajo që kemi treguar sot është se kemi skuadër që po zhvillohet shumë. Kemi mundësi të mira për të avancuar në Ligën B”, ka deklaruar portieri Muriq.
Rrahmani thotë se Kosova reagoi mirë pas golit të pranuar
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka thënë pas ndeshjes se ai me bashkëlojtarë kanë reaguar mirë pas golit të pranuar.
Rrahmani në pjesën e dytë shënoi gol, por u anulua.
“Përveç faktit që 20-25 minutat e parë nuk kemi arritur të vendosim si të bëjmë presion e si të mbrohemi, pas golit të pranuar e kemi gjetur mënyrën se si të mbrohemi. Pastaj ka qenë më e lehtë sepse kemi bërë presion një kundër një dhe kemi bërë presion lartë. Kemi krijuar raste shumë lehtë. Normalisht, ne besojmë për kualifikim. Do ta japim maksimumin. Ndeshja kthyese do të jetë edhe më e vështirë”.
Sahiti: Kur fitojmë është ndjenjë e mirë
Emir Sahiti që u inkuadrua në pjesën e dytë në fitoren e Kosovës ndaj Islandës, është shprehur i lumtur për fitoren.
“Çdo herë kur fitojmë është ndjenjë e mirë, kështu që jemi të kënaqur. Po luftojmë të gijthë për njëri-tjetrin. Nuk ka përfunduar asgjë. Në ndeshjen tjetër duhet të shkojmë me rezultat 0:0, jo sikur kemi fituar. Por jemi krenar për fitorne. Kemi grup të mirë. Po luajnë të gjithë dhe po përparojnë. Shpresoj të vazhdojmë me fitore. Uroj ta shfaqim më të mirën dhe t’i bëjmë krenar të gjithë”, ka deklaruar Sahiti, futbollisti i Hamburgut në Bundesliga 2.
Portieri Muriq me pritje të jashtëzakonshme
Portieri Arijanet Muriq e shpëtoi në disa raste Kosovën pa pranuar gol. Por, pritja e minutës së 69-të ishte e jashtëzakonshme.
Kapiteni Oskarsson tentoi me gjuajtje nga zona, por Muriq u zgjat dhe e devijoi topin në këndore.
Rashica lëshon rast të artë
Milot Rashica ka pasur rast të artë për të shënuar për Kosovën.
Por në situatën ballë për ballë, Rashica gjuajti por topi e goditi në kokë portierin kundërshtar.
Ishte moment i minutës së 63-të.
Supergol i Rexhbeçajt
Elvis Rexhbeçaj e ka shënuar golin e parë me fanellën e “Dardanëve”.
Rexhbeçaj shënoi me gjuajtje të saktë nga jashtë zonës.
Elvis Rexhbeçaj's beauty to give us the lead. 😍#KOSISL I 🇽🇰2-1🇮🇸
pic.twitter.com/rA0pO0GIQj
Ai në minutën e 58-të shënoi edhe me ndihmën e shtyllës.
Demaku debuton te Kosova
Përzgjedhësi Franco Foda ka bërë zëvendësim të dyfishtë në fillim të pjesës së dytë.
Mesfushori Vesel Demaku ka hyrë në fushë në vend të Valon Berishës.
Demaku luan tek Altachu në Bundesligën e Austrisë. Altachu është në vendin e fundit në elitën austriake të futbollit.
Ndërkohë, Donat Rrudhani ka lënë fushën për t’i liruar vendin Emir Sahitit që aktivizohet te Hamburgu në Bundesliga 2.
Mbyllet pjesa e parë
Kosova dhe Islanda po barazojnë 1:1 pas pjesës së parë.
Kosova ka shënuar në minutën e 19-të të ndeshjes.
Qendëmbrojtësi Lumbardh Dellova realizoi me gjuajtje të saktë.
Vetëm pas tre minutave, kapiteni 20-vjeçar i Islandës, Orri Oskarsson, që luan te Real Sociedadi, i ka barazuar shifrat në “Fadil Vokrri”.
Ai e kaloi portierin Arijanet Muriq dhe realizoi në portën e zbrazët.
Portieri i Islandës pret gjuajtjen e Muriqit
Vedat Muriqi në minutën e 42-të është shfaqur rrezikshëm me gjuajtje me kokë.
Por tentimin e sulmuesit të Muriqit e priti portieri i Islandës.
Nga topi i kthyer nuk realizoi Donat Rrudhani.
Konfirmohet mungesa e Berishës për duelin kthyes
Valon Berisha është ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 38-të dhe shkaku i kartonëve do të mungojë për ndeshjen kthyese që zhvillohet pas tre ditësh në Murcia të Spanjës.
Qendra e mesfushës konsiderohet pikë e dobët për “Dardanët”.
Tjetër gol në “Fadil Vokrri”
Kapiteni 20-vjeçar i Islandës, Orri Oskarsson, që luan te Real Sociedadi, i ka barazuar shifrat në “Fadil Vokrri”.
Oskarsson shënoi në minutën e 22-të.
Ai e kaloi portierin Arijanet Muriq dhe realizoi në portën e zbrazët.
Buen gol del capitán Oskarsson atacando al espacio. 🇮🇸 #RealSociedad pic.twitter.com/1RmDaWrWsZ
GOOOOL
Kosova ka shënuar në minutën e 19-të të ndeshjes.
Qendëmbrojtësi Lumbardh Dellova realizoi me gjuajtje të saktë.
Ishte goli i tij i dytë me fanellën e Kosovës.
Dellova kishte shënuar edhe ndaj Qipros në fitoren 4:0 në udhëtim më 9 shtator.
Lumbardh Dellova’s goal that put us ahead!
🇽🇰1-0🇮🇸#KOSISL | #NationsLeague | #UNL
pic.twitter.com/HphjPmLxhh
Rashica tenton nga distanca
Milot Rashica ka tentuar të realizojë në portën e islandezëve.
Ai gjuajti nga distanca por topi shkoi lartë mbi portë.
Thuajse nga pozita e njëjtë tentoi edhe qendërmbrojtësi Lumbardh Dellova një minutë më pas.
Edhe gjuajtja e Dellovës shkoi jashtë kornizës së portës.
Pa gola pas dhjetë minutash
Kanë kaluar 10 minuta lojë në stadiumin “Fadil Vokrri” që është i mbushur plot në përkrahje të Kosovës.
Si Kosova ashtu edhe Islanda janë treguar të kujdesshme në minutat e para të ndeshjes.