Sylvinho: Kundërshtari ishte më i motivuar

6 muaj më parë / 11 tet 2024 23:25
Sylvinho

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka thënë se Republika Çeke ishte më e motivuar në ndeshjen e së premtes.

Shqipëria pësoi 2:0 si mysafire në një ndeshje ku tregoi pak nga ajo që ka shfaqur vitin e shkuar.

“Për humbjen nuk të vjen mirë, por nuk humbim më me shumë gola. Nuk kemi humbur entuziazmin, por kundërshtari ishte shumë më i motivuar. Ka pritur 13 muaj për këtë ndeshje. Duhet të përmirësohemi patjetër, duhet të japim 100 për qind në çdo ndeshje. Tani Shqipëria studiohet, analizohet. Çekët na kanë analizuar një vit. Tani fillojmë të mendojmë për Gjeorgjinë. Na pret udhëtim tjetër i vështirë. Kemi pasur disa raste sonte, por mendoj se çekët ishin shumë të motivuar. Është element krenarie. Tani Shqipëria shihet si ekip që mund t’i mund të tjerët”, ka thënë ai pas takimit.
 

Mirlind Daku: E kemi ditur se na pret ambient i nxehtë

6 muaj më parë / 11 tet 2024 23:09
Daku

"E kemi ditur që na pret ambient shumë i nxehtë, duke pasur parasysh që i kemi mposhtur 3:0. E kemi ditur se na pret ambient i nxehtë. Kemi pasur shanse edhe sonte. I kishim dy shanse të mira, po të ishim më syhapur do të merrnim një pikë. Tani është ndeshja me Gjeorgjinë dhe shpresojmë të jemi më syhapur dhe të shfrytëzojmë rastet. Vij me dëshirën më të madhe. Nuk kursehem në asnjë moment. Nuk kemi shumë mundësi të njohim njëri-tjetrin. Mua nuk më ka rënë të luaj shumë me këta lojtarë dhe nuk është njëjtë si në ekip. Shpresoj se do të vijnë edhe golat”, ka deklaruar Daku.

Elseid Hysaj: Ishim nën nivelin tonë

6 muaj më parë / 11 tet 2024 23:03
Hysaj

“Ndeshja e vetme që jemi paraqitur keq. Në ndeshjet tjera jemi paraqitur mirë, edhe me Ukrainën edhe me Gjeorgjinë. Sot ishte ndeshje poshtë nivelit tonë. Kemi arritur nivel të lartë dhe tani të gjithë na marrin seriozisht. Jemi skuadër e mirë dhe të gjithë e dinë që luajmë për të fituar ndeshjen. Çekët nga fillimi treguan shumë agresivitet ndaj nesh. Duhet të jemi të qetë në fushë. Duhet të luajmë me qetësi. Nëse do të shënonim për 1:1, mund ta kishim fituar ndeshjen”, ka thënë Hysaj.

Qazim Laçi: Pranimi i hershëm i golit prishi planet

6 muaj më parë / 11 tet 2024 23:00
Laçi

“Fillimi i shpejt 1:0 na prishi lojën që kishim në mendje. E kemi ditur se Çekia luan me topa të gjatë dhe mundohet të shënojë shpejt gol. U munduam, por nuk doli ashtu si e kemi planifikuar. Në pjesën e parë kishim disa raste, por nuk i konkretizuam. Pasi pranuam golin e dytë, mbaroi loja”.

Shqipëria shfaq pak në Pragë, mposhtet 2:0 nga Çekia

6 muaj më parë / 11 tet 2024 22:40
chory

Shqipëria nuk ka shfaqur as për së afërmi formën që e kishte në dy ndeshjet e kaluara me Çekinë. Dhe kuqezinjtë u larguan me kokën ulur nga stadiumi “Letna” në Pragë.

Të premten mbrëma, Shqipëria pësoi 2:0 nga Çekia në xhiron e tretë të fazës grupore të Ligës së Kombeve. Për të përzgjedhurit e Sylvinhos është humbja e dytë rresht. Më 10 shtator u mposhtën 1:0 në Tiranë nga Gjeorgjia.

Shqipëria kishte telashe ndaj Gjeorgjisë por edhe më shumë vuajti me çekët. 

Që në minutën e tretë Tomash Chory realizoi për 1:0. I njëjti lojtar në minutën e 63-të u shkëput në zonë dhe shënoi gol të bukur për 2:0.

Shqipëria u mundua të reagojë por pa sukses. Jasir Asani, Kristjan Asllani e Indrit Tuci kishin gjysmëraste, por pa i konkretizuar.

Goditja nuk erdhi vetëm nga fusha. Tifozët çekë kanë shfaqur flamurin serb mbi hartën e Kosovës dhe mbishkrime “Kosova është Serbi”. Kjo nuk ishte e tëra. Ka pasur edhe flamuj shqiptarë të kthyer përmbys e po ashtu të shënuar me X.

Rastin për të reaguar, Shqipëria do ta kërkojë të hënën mbrëma në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë.

Shqipëria tani është e treta në grupin B1 me tri pikë, sa i ka edhe Ukraina në vendin e katërt. Nga gjashtë pikë i kanë Gjeorgjia dhe Çekia.

Chory shënon sërish, Çekia dyfishon epërsinë

6 muaj më parë / 11 tet 2024 22:10
Çek

Çekia e ka dyfishuar rezultatin ndaj Shqipërisë.

Në minutën e 63-të realizoi sërish Tomas Chory. Kësaj radhe sulmuesi shtatgjatë shënoi me kokë.

Pas golit të dytë të pësuar, Sylvinho bëri dy ndryshime. E largoi Dakun e Asanin dhe inkuadroi Tucin përkatësisht Hoxhën.

VIDEO:

Çekia dominon Shqipërinë në pjesën e parë

6 muaj më parë / 11 tet 2024 21:38
çeki

Shqipëria është duke humbur nga Çekia 1:0 në pjesën e parë, në ndeshjen që po zhvillohet në Pragë.

Goli i Tomas Choryt në minutën e tretë ka qenë vendimtar në 45 minutat e para – e cila u dominua nga çekët.

Huliganët çekë në Pragë kanë shfaqur hartën e Kosovës në flamurin e Serbisë dhe kanë kthyer mbrapsht flamurin e Shqipërisë.

Huliganët çekë provokojnë rëndë Shqipërinë

6 muaj më parë / 11 tet 2024 21:33
çek

Disa flamuj shqiptarë të kthyer përmbys janë shfaqur nga tifozët e Çekisë në ndeshjen në Pragë. Madje dy prej tyre janë mbuluar me “X”.

Kjo nuk është e tëra. Pas portës është shfaqur edhe flamuri i Serbisë mbi hartën e Kosovës.

Grupe tifozësh çekë vazhdimisht dalin kundër Kosovës e shqiptarëve.

 

Shokohet Shqipëria

6 muaj më parë / 11 tet 2024 20:50
Çekia

Shqipëria ka pësuar gol që në minutën e tretë të ndeshjes ndaj Çekisë.

Tomas Chory realizoi për 1:0.