Kombëtarja e Shqipërisë në futboll i ka nisur me humbje kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit 2026. Të premten mbrëma në stadiumin ikonik, “Wembley”, kuqezinjtë pësuan nga Anglia, njëra prej favoriteve më të mëdha për të triumfuar në Botërorin e vitit të ardhshëm.
Ndeshja përfundoi 2:0 për Anglinë, që ka dominuar thuajse plotësisht në fushë. Në postin e selektorit të Anglisë debutoi gjermani Thomas Tuchel.
Një tjetër debutues, Myles Lewis-Skelly, realizoi për 1:0 në minutën e 20-të. Jude Bellingham bëri një lëvizje në mesfushë e më pas me një pasim mjeshtëror nxori nga loja pesë lojtarë të Shqipërisë dhe gjeti në zonë 18-vjeçarin Lewis-Skelly. Lojtari i krahut të majtë, Lewis-Skelly, fitoi duelin me Jasir Asanin dhe realizoi për 1:0.
Anglia i kishte edhe disa raste në pjesën e parë. Në minutat e fundit Thomas Strakosha i kishte dy pritje vendimtare, ndërsa një goditje të Harry Kane, që po shkonte në portë, e bllokoi kapiteni Berat Gjimshiti.
Pjesa e dytë nisi njëjtë – me dominimin e Anglisë. Situata në fushë ndryshoi pak pas aktivizimit të Armando Brojës në minutën e 63-të. Kuqezinjtë krijuan tri gjysmëraste, por pa konkretizim.
Goditja vendimtare për Shqipërinë erdhi në minutën e 77-të. Pas një krosimi nga Declan Rice, Harry Kane fitoi në zonë duelin me Arlind Ajetin. Kane më pas goditi bukur për 2:0.
Sylvinho reagoi me dy zëvendësime të tjera. U aktivizuan Arbër Hoxha e Adrion Pajaziti, për të cilin është debutim. Por gjërat në fushë nuk ndryshuan. Anglezët me përvojë kontrolluan ndeshjen deri në fund për fitore solide.
Të hënën mbrëma Shqipëria e luan ndeshjen e dytë në kuadër të Grupit K të kualifikimeve për Botëror. Në “Arenën Kombëtare” në Tiranë e pret Andorrën. Andorra të premten humbi 1:0 në shtëpi nga Letonia.
Tuchel: Mundemi më mirë, duhet të luajmë më mirë
Selektori i ri i Anglisë, Thomas Tuchel ka vlerësuar fitoren ndaj Shqipërisë. Por trajneri gjerman pret më shumë nga lojtarët e tij.
“Mund të paraqitemi më mirë, duhet të paraqitemi më mirë. Kemi nisur mirë, kemi pasut shtatë-tetë minuta kur e kishim topin në 100 për qind të kohës, me shumë pasime e energji të madhe. Ky kundërshtar është vështirë të thuhet pasi mbrohet si bllok në thellësi. Në Evropian ia doli të mos lejojë raste për kundërshtarët. Në pjesën e dytë ndiej se ishim shumë të ngadaltë dhe në përgjithësi nuk kishim shumë lëvizje të topit për të lëvizur mes linjave”, ka thënë Tuchel.
Për Lewis-Skellyn, Tuchel ka thënë se është lojtar i mahnitshëm.
Për Bellinghamin ka thënë se nuk ka dyshime që është lojtari vendimtar.
Tucheli pret më shumë nga Marcus Rashfordi dhe Phil Fodeni që luajtën në krahë.
“Shpresojmë për më shumë ndikim në këto pozicione. Më shumë driblime dhe vrapime agresive drejt zonës. Në përgjithësi kjo ka munguar. Shanset erdhën nga pak vrapimet mes linjave. Kjo na mungoi pak. Ata nuk ishin vendimtar sa mund të jenë”, ka thënë Tuchel.
Bellingham: Është e vështirë ndaj një ekipi që luan kaq prapa
Ylli i Anglisë, Jude Bellingham, ka thënë se kanë pasur telashe për të zhvilluar lojën për shkak të qëndrimit të Shqipërisë shumë prapa në mbrojtje.
Anglia fitoi 2:0.
“Kishim ide të qarta se çka donimi të bënim dhe si të luanim. Është e vështirë kundër një ekipi që qëndron kaq prapa. Në përgjithësi iu përmbajtëm mirë planit, patëm një javë të mirë stërvitore. Një fitore e mirë për të filluar epokën e re”, ka thënë Bellingham.
Sylvinho: Nëse nuk luan i organizuar ndaj Anglisë, mund të pësosh pesë gola
Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, e ka mbrojtur mënyrën e lojës ndaj Anglisë.
Shqipëria u mposht 2:0, ndërsa pas ndeshjes ka reagime të shumta se kuqezinjtë luajtën aq shumë të tërhequr.
“Kemi studiuar Anglinë, është një nga kombëtaret më të forta. Ka dy mbrojtës të qendrës shumë të fortë.
Është vetëm ndeshja e parë. Nuk është shumë e lehtë të fitosh në Wembley. Unë punoj për këtë. Këtu luajnë lojtarët më të mirë të botës, është e vështirë.
Jam shumë i lumtur dhe krenar për gjithë lojtarët që u futën në fushë. Nëse në fushë nuk del i organizuar mund të përfundosh keq. Mund të pësosh edhe pesë gola. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë. Në 15 minuta ishim në lojë. Broja bëri punë të mirë. Mund të ishim afruar me barazimin, por shënuan golin e dytë dhe çdo gjë përfundoi.
Ne kemi përgatitur një mënyrë që të dilnim përpara nga presingu. Kishim vështirësi të dilnim përpara. Vetëm Uzuni mund të sulmonte hapësirat. Kemi gabuar në pasime për të dal nga zona. Kemi gabuar edhe në mënyrën e daljes. Është një kundërshtar i nivelit shumë të lartë. Anglia është shumë e fortë, teknikisht fantastike.
Ishte shumë e vështirë për mbrojtësit e krahut. Duhet të komplimentojë Alijin, por edhe Balliun që erdhi pa luajtur shumë minuta. Duhej të përballonte Rashfordin”, ka thënë Sylvinho.
Lewis-Skelly: Jam shumë mirënjohës ndaj Tuchelit
Myles Lewis-Skelly ka debutuar me shumë sukses tek Anglia. Ai e realizoi golin e parë në fitoren 2:0 ndaj Shqipërisë.
18-vjeçari kishte paraqitje të sigurt në krahun e majtë.
“Nuk kam fjalë. Jam shumë mirënjohës ndaj selektorit Thomas Tuchel që më besoi. Jam shumë i lumtur. Tifozët bënë që të dukem si në shtëpi. I falënderoj”, ka thënë Lewis-Skelly.
Mesfushori anglez, Declan Rice ka thënë se Lewis-Skelly është i patrembur.
“Ai bën çdo gjë si duhet në fushë dhe është vetëm 18-vjeçar. E kam ditur se do të luajë kështu sonte, për shkak të besimit që ka. Ka mbajtur këmbët në tokë dhe është vetëm fillimi për të. Ne kemi vetëm katër ditë së bashku dhe duhet të mësohemi ende me atë që Tuchel dëshiron nga ne. Ne kemi dashur të kemi fillim të mirë të garës në grup”, ka thënë Declan Rice.
Broja: Kombëtarja është zemra ime, tifozët ishin të mrekullueshëm
Sulmuesi Armando Broja është shprehur shumë i lumtur që është kthyer në fushë.
Broja luajti gati 30 minuta në humbjen e Shqipërisë 2:0 nga Anglia. Por prej që u inkuadrua, dha sinjale pozitive.
Sulmuesi i Evertonit ka thënë se kanë qenë të vetëdijshëm për kualitetet që ka Anglia, por është optimist se do të përmirësohen.
“E kemi ditur se do të jetë vështirë. Anglia është nivel i lartë, me Francën, Belgjikën, Holandën, Spanjën. E dimë se ka kualitet se ishim në shtëpinë e saj. Kemi pasur disa shanse për gol. Ekipi ka luajtur mirë, kemi pasur mundësi mos të pësojmë dy golat. Nuk ishin gola nga raste të rrezikshme. Një ishte pasim prapa shpine dhe tjetri krosim në shtyllë të dytë. Nëse përmirësojmë pak gjëra edhe ne mund të jemi në nivel më të lartë”.
“Ka qenë periudhë e vështirë për mua, por jam i fokusuar te trupi im, që të kem shanse më të mëdha që mos të dëmtohem prapë. Sot jam i kënaqur me trupin tim dhe si kam luajtur. Kam pasur shanse edhe unë, por një ditë tjetër mund t’i shfrytëzojmë rastet. Janë disa gjëra të vogla që mund t’i përmirësojmë”.
“Kombëtarja më ka munguar. Më pëlqen shumë të luaj për Kombëtaren. Është shtëpia ime, zemra ime. Tifozët ishin të mrekullueshëm, na dhanë kurajë. I kënaqur që u ktheva me ekipin, me djemtë. Shpresoj të rikuperohem 100 për qind dhe të kënaqem me futbollin”, ka thënë Broja.
Gjimshiti: Gabuam pak që u tërhoqëm aq shumë
Mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka pranuar se tërheqja totale në mbrojtje nuk ishte ide e mirë përballë Anglisë.
Shqipëria u mposht 2:0 në “Wembley”, ndërsa në pjesën e parë ishte pothuajse inekzistente në fushë.
“Nuk ishim të frikësuar. Në futboll nuk ka frikësim. Anglia është e fortë, jo vetëm ndaj nesh. 1:0 ishte në rregull. Me hyrjen e Brojës kishim disa raste, por na mungoi pasimi i fundit. Më pas pësuam edhe golin e dytë dhe përfundoi ndeshja. Anglia ka lojtarë që mund ta dërgojnë topin prapa shpinës dhe është e vështirë të ndalen me shpejtësinë që kanë. Kemi gabuar pak që jemi kthyer shumë prapa”, ka thënë kapiteni.
Anglia e shënon golin e dytë
Anglia po udhëheq 2:0 ndaj Shqipërisë.
Harry Kane realizoi në minutën e 77-të.
VIDEO:
Harry Kane what a control and finish!pic.twitter.com/ZOBhq3bRJW
Broja në fushë, Shqipëria shumë më e rrezikshme
Armando Broja është aktivizuar në minutën e 63-të të ndeshjes së Shqipërisë ndaj Anglisë. Broja e zëvendësoi Nedim Bajramin dhe menjëherë bëri dy lëvizje shumë të bukura.
Shqipëria megjithatë nuk përfitoi prej tyre.
Anglia po udhëheq ende 1:0.
“Broja, Broja”, dëgjohen shikuesisht e shumtë shqiptarë në “Wembley”.
Shqipëria po pëson 1:0 pas pjesës së parë
Kombëtarja e Shqipërisë po pëson 1:0 nga Anglia në “Wembley”, pas pjesës së parë të ndeshjes.
Në minutën e 20-të, Jude Bellingham bëri pasim mjeshtëror për Lewis-Skelly, që realizoi nga zona. Bellinghemi nxori nga loja 4-5 mbrojtës të Shqipërisë, ndërsa Lewis-Skelly e shmangu Jasir Asanin para se ta dërgonte topin në rrjetë.
Anglia ka dominuar plotësisht. Në fund, Thomas Strakosha i kishte dy pritje vendimtare, ndërsa Berat Gjimshiti bllokoi një gjuajtje të Harry Kane që po përfundonte në rrjetë.
Lewis-Skelly me një rekord interesant
Myles Lewis-Skelly ka shënuar gol për Anglinë që po udhëheq 1:0 ndaj Shqipërisë.
Për Lewis-Skelly është ndeshje debutuese.
“Me 18 vjet e 176 ditë, Lewis-Skelly është lojtari më i ri në histori që ka shënuar gol në debutimin për Anglinë”, shkruan BBC.
Goditet shtylla e Anglisë
Shqipëria për herë të parë po e sulmoi Anglinë në ndeshjen në “Wembley”.
Në minutën e 27-të topi qëlloi traversën pas një devinimi të një lojtari anglez.
Anglia në epërsi
Anglia ka kaluar në epërsi 1:0 në ndeshjen ndaj Shqipërisë.
Debutuesi Lewis-Skelly shënoi në minutën e 20-të.
VIDEO:
⚽️ GOAL: Lewis-Skelly
🏴 England 1-0 Albania 🇦🇱pic.twitter.com/EV9Jdsx6bU
Dominim i plotë i Anglisë
Anglia po dominon plotësisht në fushë në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Por deri më tani të përzgjedhurit e Tuchelit nuk kanë krijuar ndonjë rast, ndonëse topin e kanë në shumicën e kohës.
Janë luajtur 15 minuta në “Wembley” dhe rezultati mbetet 0:0.
Anglia me dy debutues, njëri 32-vjeçar
Dy debutues janë tek Anglia në ndeshjen ndaj Shqipërisë.
Bëhet fjalë për mbrojtësin e qendrës, Dan Burn, dhe mbrojtësin e krahut të majtë, Myles Lewis-Skelly.
Burn është 32-vjeçar dhe për herë të parë është grumbulluar me “tre luanët”.
Lewis-Skelly është vetëm 18-vjeçar. Marcus Rashford që nuk llogaritej fare në vitet e fundit, po ashtu ka startuar.