Liria e Prizrenit doli me komunikatë të dielën mbrëma për incidentet që ndodhën pas ndeshjes me Vëllaznimit. Ndeshja e Ligës së Parë u zhvillua të dielën në Prizren, ndërsa kishte skena dhune në fund të takimit.
Liria ka pyetur Vëllaznimin e Gjakovës pse nuk reagoi pas ngjarjeve në Malishevë, pas ndeshjes së parë mes dy skuadrave.
Ka pyetur klubin gjakovar pse nuk ka dënuar aktet e dhunës kur tifozët dhe lojtarët e Vëllaznimit, sipas Lirisë, sulmuan stafin e klubit prizrenas.
“Dëshirojmë të theksojmë qartë se nuk ka pasur asnjë tendencë apo qëllim për sulm ndaj klubit kundërshtar. Gjithçka që ndodhi ishte rezultat i tensioneve mes dy tifozërive, duke marrë parasysh edhe provokimet dhe incidentet e shpeshta të kohëve të fundit, duke filluar nga ngjarja në Malishevë e më tutje, deri sot në ‘Përparim Thaçi’. Ne e dënojmë çdo akt dhune, pa asnjë hezitim. Por drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Nuk mund të pranojmë standarde të dyfishta kur flasim për ndëshkimin e akteve të dhunshme. Presim që të gjithë të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe të trajtohen me të njëjtën drejtësi, pa dallim”, shkruan në komunikatën e Lirisë së Prizrenit.