Federata e Futbollit të Libisë e ka fajësuar Nigerinë për shtyrjen e ndeshjes që ishte e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Afrikës. Ndeshja në mes të Libisë dhe Nigerisë është dashur të luhet të martën. Por përfaqësuesja e Nigerisë nuk pranoi ta zhvillojë ndeshjen pasi është dashur të presë gjithë natën në aeroportin “La Abraq”, në afërsi të qytetit libian Al Baida të hënën.
Futbollistët e Nigerisë në rrjetet sociale ishin ankuar se nuk kishin ushqim dhe ujë të mjaftueshëm gjatë pritjes në aeroport.
Federata e Futbollit e Libisë ka thënë se incidenti nuk ishte i qëllimshëm dhe kishte kërkuar mirëkuptimin e Nigerisë. Libia ka shtuar se edhe lojtarët e tyre ishin përballur gjithashtu me vështirësi udhëtimi javën e kaluar. Ndeshja e parë në mes të Nigerisë dhe Libisë u zhvillua të premten. Nigeria e fitoi ndeshjen 1:0.