Trajneri i Bayer Leverkusenit, Xabi Alonso, dhe lojtarët e tij, gjithë sezonin e kanë zhvilluar duke thyer rekorde të njëpasnjëshme.
Synon të thyejë edhe rekorde tjera.
Kanë mbetur edhe tri ndeshje deri në fund të sezonit për Leverkusenin me Granit Xhakën lider në mesfushë.
Leverkuseni të shtunën nga ora 15:30 luan në shtëpi kundër Augsburgut, në ndeshjen e fundit të Bundesligës.
Më 22 maj luan kundër Atalantas në finale të Ligës së Evropës, e tri ditë më pas, e zhvillon finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Kaiserslauternit.
Leverkuseni u konfirmua kampion i Gjermanisë para më shumë se një muaji.
Të shtunën synon ta kompletojë edicionin e plotë pa humbje, diçka që nuk e ka arritur as Bayern Munichu, skuadra më e suksesshme gjermane.
Kur nisi edicioni aktual në muajin gusht të vitit të kaluar, askush nuk e kishte pritur këtë sukses të Leverkusenit.
Lojtarët e Leverkusenit janë të gatshëm për t’i luajtur edhe këto tri “finale”, ashtu siç i kanë vlerësuar vetë ata.
Leverkuseni ka plot 50 ndeshje pa humbje në të gjitha garat.
Prej 50 ndeshjeve, ka 41 fitore e vetëm nëntë barazime.
Bayern Munichu luan në udhëtim te Hoffenheimi, dhe synon fitoren për të përfunduar në vendin e dytë.
Stuttgarti i vendit të tretë e pret Borussia Moenchengladbachun, kurse Leipzigu i katërti udhëton tek Eintracht Frankfurti.
Por, në Gjermani gara për mbijetesë është shumë interesante. Bochumi, Mainzi, Union Berlini e Koelni, synojnë mbetjen në elitë dhe largimin nga pozita që dërgon në plejaut.
Nga elita gjermane është përshëndetur Darmstadti i Klaus Gjasulës.
Të gjitha ndeshjet e kësaj fundjave në Gjermani zhvillohen të shtunën nga ora 15:30.