Futboll

Leverkuseni mposhtet pas 35 ndeshjeve në Bundesligë

Bayer Leverkusen

Leverkuseni dhe Granit Xhaka e kanë pësuar humbjen e parë në Bundesligë pas 35 ndeshjeve rresht. 

Leverkuseni edicionin e kaluar të Bundesligës e fitoi pa asnjë disfatë. 

Në 34 ndeshje kishte 28 fitore e gjashtë barazime. 

E fitoi edhe ndeshjen e parë të edicionit të ri të elitës gjermane 3:2 në udhëtim te Borussia Moenchengladbach, kur supergol shënoi Granit Xhaka. 

Por të shtunën në shtëpi, Leverkuseni pësoi humbje në xhiron e dytë nga Leipzigu, 3:2, ndonëse pati epërsi prej dy golave. 

Jeremie Frimpong në minutën e 39-të shënoi për 1:0, kurse Alejandro Grimaldo e dyfishoi epërsinë në minutën e fundit të pjesës së parë. 

Mysafirët më pas e ngushtuan epërsinë në minutën e shtatë të shtesës në pjesën e parë, me golin e mesfushorit Kevin Kampl. 

Sulmuesi belg, Lois Openda, u përkujdes që t’ia siguronte pikët e plota ekipit të tij, dhe t’ia shkaktonte Leverkusenit disfatën e parë pas një kohe të gjatë. 

Openda shënoi në minutën e 57-të dhe të 80-të. 

Xhaka e kompletoi ndeshjen te Leverkuseni, që në sezonin e kaluar humbi vetëm nga Atalanta në finale të Ligës së Evropës.