Futboll

Leverkuseni kërkon trofeun e dytë sezonal

Bayer Leverkusen

Bayer Leverkuseni do të ballafaqohet me Kaiserslauternin të shtunën në finale të Kupës së Gjermanisë, pak ditë pasi e pësoi disfatën e parë të edicionit aktual në të gjitha garat.

Leverkuseni dhe Kaiserslauterni takohen në finalen e Kupës gjermane nga ora 20:00.

Kjo ndeshje zhvillohet në “Olympiastadion” në Berlin.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Xabi Alonso u mposht 3:0 nga Atalanta në finale të Ligës së Evropës të mërkurën.

Ishte humbja e parë që prej majit të vitit 2023. Kampioni i Gjermanisë ishte në ecuri prej 51 ndeshjeve rresht pa disfatë.

Me këtë seri, Leverkuseni e theu rekordin 59-vjeçar të Benficas portugeze.

Kjo skuadër u shqua për golat në minutat shtesë. Ka realizuar 15 herë pas minutës së 90-të, por një gjë e tillë nuk ndodhi të mërkurën.

Kaiserslauterni do të mundohet ta shfrytëzojë “goditjen” e marrë nga Leverkuseni dhe të shkaktojë befasi.

Kjo skuadër përgjatë rrugës deri në finale të Kupës së Gjermanisë e ka eliminuar Koelnin, skuadrën e Bundesligës gjermane që nuk e siguroi mbijetesën.

Kaiserslauterni është ekip i kategorisë së dytë në futbollin gjerman.