Futboll

Leverkusen – Bayern, derbi i madh në Bundesligë

Granit Xhaka

Bayer Leverkuseni edicionin e kaluar u shpall kampion në elitën e futbollit gjerman pa e pësuar asnjë humbje.

Por këtë edicion Bayern Muncheni është në rrugë të mirë për ta fituar titullin e kampionit.

Bayerni është lider me 54 pikë pas 21 ndeshjeve të zhvilluara. Leverkuseni ka 46 pikë në vendin e dytë.

Diferenca prej tetë pikëve mund të ndryshoj këtë fundjavë.

Bayer Leverkuseni dhe Bayern Muncheni takohen të shtunën nga ora 18:30 në derbin e xhiros së 22-të të Bundesligës.

Leverkuseni i drejtuar nga trajneri Xabi Alonso ka 19 ndeshja pa humbje në kampionat. 

Ndërsa Bayerni, që drejtohet nga trajneri Vincent Kompany, ka shtatë ndeshje pa humbje.

Bayer – Bayern aktualisht është prej ndeshjeve më të zjarrta në futbollin gjerman.

Leverkuseni, tek e cila skuadër lojtari kryesor në mesfushë është Granit Xhaka, edicionin e kaluar e fitoi edhe Kupën e Gjermanisë dhe Superkupën.

Në pesë ndeshjet e fundit Leverkuseni ndaj Bayernit ka tri fitore dhe dy barazime.

Skuadrat janë takuar 101 herë në të gjitha garat.

Bayerni ka 60 fitore, Leverkuseni 22 dhe 19 ndeshje kanë përfunduar me barazim.

Leverkusenit do t’i mungojë vetëm Jeanuël Belocian i cili ka një lëndim të rëndë që do ta mbajë jashtë fushës për kohë të gjatë.

Bayerni do të jetë pa mbrojtësin Alphonso Davies dhe pa portierin Daniel Peretz.

Në dyshim për t’u paraqitur është edhe Serge Gnabry i cili i mungoi gjigantit bavarez në stërvitjen e së premtes.

Bavarezët fitoren e fundit ndaj Leverkusenit e kanë më 30 shtator të vitit 2022.

Të shtunën nga ora 15:30 luan Borussia Dortmundi, në udhëtim te Bochumi.