Mesfushori Lindon Emërllahu është stabilizuar në përbërjen bazë të Clujit rumun, por në ndeshjen e fundit pësoi lëndim.
Të hënën Cluji fitoi 2:0 ndaj Craiovas, ndërsa Emërllahu la fushën në minutën e 73-të. Ndaj tij u shkaktua një ndërhyrje e rëndë, që rezultoi me kartonin e dytë të verdhë dhe përjashtim për lojtarin kundërshtar.
Presidenti i Clujit, Cristi Balaj, ka konfirmuar të hënën se lëndimi i Emërllahut është serioz.
“Lëndimi i Emërllahut është shumë serioz. Jam i bindur se lojtari nga Craiova nuk e bëri qëllimshëm. Mbetet të shihet, por nyja duket shumë, shumë keq”, ka thënë Balaj për “fantatik.ro”.
“Mund të jetë problem, nëse flasim për Emërllahun. Ai vetëm sa ka hyrë në 11-shen e parë dhe duket lojtar shumë i vlefshme. Nëse është i gatshëm luan nga minuta e parë”, ka thënë analisti Cristi Coste.
Emërllahu është reprezentues i Kosovës.
Emërllahu tregon se lëndimi megjithatë nuk është serioz
Presidenti i Clujit rumun, Cristi Balaj, deklaroi të martën për “fantatik.ro” se mesfushori i Kosovës, Lindon Emërllahu, u lëndua rëndë në fitoren 2:0 ndaj Craiovas, të hënën mbrëma.
Ndaj Emërllahut u shkaktua një ndërhyrje e rëndë dhe ai u detyrua që të zëvendësohet në minutën e 73-të.
Por Emërllahu në një përgjigje për KOHËN theksoi se lëndimi megjithatë nuk është serioz.
Ai pret të jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme të Clujit.
“Nuk ka ndonjë lëndim serioz. Bëhet fjalë për një lëndim të vogël mirëpo gjithçka është në rregull”, ka thënë Emërllahu të martën pasdite.
22-vjeçari Emërllahu së fundi u stabilizua në përbërjen bazë të Clujit.
Ai te klubi rumun u transferua në afatin kalimtar të janarit nga Ballkani për 700 mijë euro.
Te Cluji luan edhe Meriton Korenica.