Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Lisandro Martinez, ka pësuar lëndim të rëndë në ligamentin kryqëzor në gju.
Qendërmbrojtësi do të mungojë në pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa lajmi është konfirmuar të enjten nga klubi i madh anglez.
27-vjeçari u largua me barelë në humbjen në shtëpi nga Crystal Palace të dielën.
Vetë trajneri Ruben Amorim pas ndeshjes tha se “situata është serioze”.
“Të gjithë te Manchester Unitedi i urojnë Lisandro Martinezit fuqi për t’u kthyer me sukses. Do ta përkrahim atë në çdo hap”, shkruhet ndër të tjera në faqen zyrtare të Unitedit.
Unitedi është i 13-ti në Premier League pas humbjes nga Crystal Palace, që ishte humbja e shtatë e klubit në 13 ndeshjet si vendës në këtë edicion.
Martinezi është futbollisti i 10-të në Premier League që vuan nga lëndimi i ngjashëm i gjurit në sezonin e tanishëm.