“Legjenda që nuk shuhet kurrë” është titulli i librit kushtuar figurës që si futbollist dridhi zemrat e gjeneratave të tëra sportdashësish nga Kosova, Fadil Vokrri, me autor gazetarin Bekim Aliu.
Kontributi i legjendës Vokrri, qoftë si futbollist në fushë, apo si udhëheqës i proceseve që Kosovës ia hapën dyert e futbollit botëror, do të kujtohen përherë.
Autori i librit kushtuar legjendës, Bekim Aliu, në përvjetorin e gjashtë të vdekjes e cilëson Fadil Vokrrin si emrin më të madh të futbollit të Kosovës.
Vokrri vdiq më 9 qershor të vitit 2018 pas një sulmi në zemër.
Autori i librit, Aliu, thotë se legjenda Vokrri nuk do të vdesë kurrë.

Libri i botuar nga shtëpia botuese “KOHA” është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Emri i Fadilit është shumë i madh. Më i madhi i futbollit të Kosovës. Veprat e tij e kanë bërë të madh emrin e Vokrrit. Së pari është bërë i madh si futbollist në kohërat e arta të Prishtinës së artë. Nën drejtimin e tij, nën udhëheqjen e tij, apo si kapiten legjendar i Prishtinës, Fadili me shokët e tij kanë bërë histori në futbollin e Kosovës në shtetin që tashmë nuk ekziston”, ka thënë Aliu të dielën për KOHËN.
Ai tregon edhe arsyet pse Vokrri ka qenë emër i madh. Ka treguar ndikimin që kishte për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
“Këta dy hapa të mëdhenj të Fadilit në njohjen ndërkombëtare kanë bërë që Fadili ta shtoj madhështinë e tij”, ka theksuar Aliu.
Gazetari Aliu ka intervistuar shumë personalitete që kanë qenë të afërt apo që e kanë njohur Fadil Vokrrin. Në libër ka përshkruar edhe ngjarje të ndryshme që lidhen me karrierën e Vokrrit. Ka përshkruar periudhën kur Vokrri iu bashkua Prishtinës.
Në libër, autori Bekim Aliu ka treguar arsyen pse Vokrri kaloi nga Llapi te Prishtina.
“Kosova në vitet e 80-a kishte nevojë të kishte një klub të madh. Edhe atëherë Prishtina ishte klub i madh, por kërkohej që Prishtina të ishte pjesë e elitës së futbollit të Jugosllavisë. Pikërisht profesori Nazmi Mustafa arriti ta bindë Vokrrin t’i bashkohej Prishtinës, e pastaj në punën e tij si drejtues i klubit ishte që të marrë edhe lojtarë të tjerë nga klube të ndryshme të Kosovës”, ka treguar autori i librit për Fadil Vokrrin.
Për ta finalizuar librin kushtuar legjendës Vokrri, Aliu thotë se ka punuar gati katër vjet.
“Kam punuar diku tre apo katër vjet për ta finalizuar librin, që sot lexuesit mund ta kenë në dorë. Pse duhet ta kenë në dorë dhe ta lexojnë atë është sepse këtu shkruan në tërësi për karrierën e tij. Fillimisht shkruan për biografinë e tij, pasi vjen nga qyteti i Podujevës dhe rrugëtimin e tij në klube ku ka qenë më i miri”.
Vokrri si lojtar ishte afirmuar te Prishtina, të cilën e udhëhoqi në fushë për gjashtë vjet. Me Vokrrin në krye, që mbante numrin nëntë dhe udhëhiqte sulmin, Prishtina u
inkuadrua në Ligën e Parë të shtetit të dikurshëm federativ. Më pas luajti me plot sukses për Partizanin e Beogradit, për Fenerbahçen në Turqi dhe për tri skuadra në Francë.
Ishte i vetmi shqiptar nga Kosova që luajti për Jugosllavinë, duke shënuar gjashtë gola në 12 ndeshje. I suksesshëm u tregua edhe si drejtues i FFK-së. E udhëhoqi atë në periudhën më të lavdishme, atë të pranimit në UEFA e FIFA.
Kur vdiq, Vokrri ishte në mes të mandatit të tretë si kryetar i FFK-së dhe në kohën kur përkrahja për të ishte shumë e madhe.
Bekim Aliu thekson se ka shumë për të thënë e për të shkruar për figurën e Vokrrit. Ai zgjodhi që libri kushtuar Fadil Vokrrit të ketë nëntë kapituj, simbolikë e numrit që Vokrri e mbante në fanellë si futbollist.
Aliu veçon dy kapituj. Atë për pritjen që i ishte bërë Vokrrit në Vlorë në ndeshjen ku Partizani i Beogradit ishte përballur me Flamurtarin.
“Fadili kur ka shkuar në Vlorë është pritur nga më shumë se dy mijë shikues shqiptarë. Edhe në atë kohë adhuruesit e futbollit kishin dëgjuar se është një lojtar i madh, i cili ndonëse barte fanellë tjetër, megjithatë ishte Fadili, ai shqiptari i cili i bëri për vete shumë adhurues të futbollit në Shqipëri”.
Në kapitullin tjetër që e veçon autori, paraqiten thëniet e të tjerëve për Vokrrin.
"Unë kam kontaktuar shumë personalitete të ndryshme ku veçoj ish-trajnerin e Vokrrit, Guus Hiddink, i cili Fadilin e përshkruan si një tigër, në kuptimin që Fadili kishte qenë ai futbollisti, sulmuesi të cilin e kishte kërkuar”.
Ai tregon edhe madhështinë që kishte Fadili.
"Fadili pos që ka qenë i madh si futbollist dhe madhështor si drejtues i Federatës, atë e ka karakterizuar edhe thjeshtësia. Duke qenë i thjeshtë do të vlerësohesh nga të gjithë. Fadili do të kujtohet gjithmonë dhe vështirë që Kosova do të ketë një tjetër Fadil në të ardhmen”.
Autori ka thënë se Vokrri nuk do të ishte i kënaqur me punën që po bëhet dhe rezultatet e Përfaqësueses.
“Për Fadilin nuk ka qenë vështirë të zgjidhen fjalët e mira, sepse i tillë ka qenë. Ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Për të përshkruar Fadilin si futbollist dhe personalitet duhet shfletuar ku janë fjalët më të mira dhe ato t'i dedikohen”, ka thënë Bekim Aliu, që zgjodhi të flasë për librin në afërsi të stadiumit të qytetit të Prishtinës, që mban emrin e madh. Emrin “Fadil Vokrri”.