Dy muaj e gjysmë pas ndeshjes çerekfinale të Kampionatit Evropian mes Gjermanisë dhe Spanjës, UEFA ka pranuar se vendimi i arbitrit për të mos dhënë penallti për lojën me dorë të spanjollit Marc Cucurella ishte i gabuar.
Në këtë rast “penalltia është dashur të jepej”, thotë një raport i Komitetit të Referëve të UEFA-s, sipas portalit spanjoll “Relevo”.
Nikoqirja e Evropianit, Gjermania, e humbi 2:1 ndeshjen me Spanjën, pas vazhdimeve nga 15 minuta. Cucurella më pas ishte fishkëllyer në secilën ndeshje të Evropianit. Spanja në fund e fitoi Evropianin, por loja me dorë e Cucurellas në zonë mbeti njollë.
“Relevo” publikoi raportin të hënën, që është pjesë e një udhëzimi të rregullt për arbitrat evropianë të futbollit.
Në raport shkruan: “Duke ndjekur udhëzimet më të fundit të UEFA-s, kontakti i dorës me top, që ndalon një goditje që shkon në drejtim të portës, ndëshkohet rreptësisht dhe në shumicën e rasteve duhet të jepet një goditje dënimi, pos në situatën kur krahu i mbrojtësit është shumë afër trupit ose në kontakt me trupin. Në këtë rast (të Cucurellas) mbrojtësi ndal goditjen që shkon në portë, me krahun e tij, i cili nuk është shumë afër trupit. Kështu mbrojtësi e bën veten më të madh dhe do të duhej të jepej goditje dënimi”.
Në vend se të jepte penallti për Gjermaninë, për lojën me dorë në zonë të Cucurellas, arbitri anglez, Anthony Taylor, lejoi që ndeshja të vazhdojë. Rezultati mbeti 1:1 dhe ndeshja shkoi në vazhdime. Nuk ndërhyri as arbitri në VAR dhe vendimi për të mos dhënë penallti mbeti.
Pak para fundit të vazhdimit të dytë, Mikel Merino shënoi golin e fitores 2:1 të Spanjës.
Kishte kritika të shumta për atë vendim, por UEFA i doli në përkrahje arbitrit, duke mbrojtur vendimin e tij.
Legjenda gjermane, Lothar Matthaeus, nuk është i kënaqur me pranimin e vonshëm të fajit nga UEFA.
“Menjëherë kam thënë: penallti e padiskutueshme. Më pas, të nesërmen, erdhi lajmi se kishte një udhëzim nga udhëheqësi i arbitrave të UEFA-s që të mos jepej penallti nëse krahu që ndal topin është poshtë. Prandaj thashë më pas që vendimi për të mos dhënë penallti është i kuptueshëm. Por sot lind pyetja: A nuk ekzistonte realisht ky udhëzim? Për të sqaruar këtë do të ishin interesante deklaratat e arbitrit dhe VAR-it”, ka thënë Matthaeus për Bild.
Lojtari me më së shumti paraqitje për Gjermaninë është shumë i revoltuar.
“Nëse është e vërtetë që UEFA tani pranon se ishte një vendim i gabuar, atëherë pa dyshim që ne jemi mashtruar. Atëherë udhëzimi i supozuar ishte vetëm një justifikim. Është në fakt e turpshme që tani po e pranojnë atë që të gjithë e panë në atë ndeshje”.
Nga Federata gjermane nuk kanë komentuar ende. Kanë thënë se fillimisht dëshirojnë ta pyesin UEFA-n nëse ajo që u raportua në Spanjë ishte e saktë. Mund të ketë qëndrim të ngjashëm me atë të legjendës Matthaeus.
Por, për Gjermaninë do të jetë vonë. Spanja është kampione e Evropës dhe kjo nuk ndryshon.