Futboll

Legjenda Hitzfeld për KOHËN: Shaqiri është lojtar i madh

Ottmar Hitzfeld & Xherdan Shaqiri

Ottmar Hitzfeld & Xherdan Shaqiri

Zakonisht vendimet e legjendës gjermane të futbollit Ottmar Hitzfeld kanë qenë të drejta. I tillë ishte edhe vendimi kur në vitin 2010 ia dha mundësinë Xherdan Shaqirit të debutojë për Zvicrën me 18 vjet e katër muaj e 21 ditë. Më 3 mars të vitit 2010, Shaqiri debutoi për Zvicrën. Luajti 45 minuta në fitoren 3:1 ndaj Uruguait. Nuk shkoi larg, Hitzfeld e përfshiu Shaqirin në ekipin helvetik për Kupën e Botës “Afrika e Jugut 2010”. Vendimi i Hitzfeldit për disa ishte befasues. Por Hitzfeld i besoi intuitës së tij.

Në Botërorin e vitit 2010, Shaqiri ishte shfrytëzuar vetëm 13 minutat e fundit në ndeshjen e fundit në grup ndaj Hondurasit, ndeshje e cila u mbyll pa gola.

Hitzfeld pati thënë fjalë të mëdha pas ndeshjes debutuese të Shaqirit. Edhe të enjten për KOHËN, Hitzfeld foli me superlativ për Shaqirin, i cili të hënën njoftoi për tërheqjen nga Zvicra pas plot 14 vjetësh të suksesshme të kaluara në përfaqësuese.

Shaqiri kishte karrierë impresive me përfaqësuesen, ndërsa është i vetmi lojtar që ka shënuar gola në gjashtë ngjarjet e fundit të mëdha, tre botërorë e tre evropianë.

“Ai është lojtar i madh”, ka thënë Hitzfeld për KOHËN. Ai udhëhoqi ekipin helvetik drejt Kampionatit botëror 2010 dhe siguroi pjesëmarrjen në Botërorin 2014, kurse dështoi të kualifikohej për në “Euro 2012”.

Hitzfeld ka thënë për Shaqirin se është lojtar i shkëlqyeshëm, por i vjen keq që nuk e ka treguar gjithë potencialin që ka.

Ai kujton edhe disa prej golave të rëndësishëm të Shaqirit. Përmend “hat-trickun” në Botërorin 2014 kundër Hondurasit, që sipas tij jo shumë lojtarë kanë realizuar tre gola në një ndeshje Botërori.

Falë tregolëshit të tij, Zvicra pati avancuar në raundin e dytë, ku u përball me Argjentinën. Zvicra ishte eliminuar me golin e shënuar nga Angel di Maria në minutën e 118.

Hidzfeld e përshkruan si lojtar inteligjent Shaqirin.

“Është lojtar shumë inteligjent, shënues i mirë me gjuajtje fenomenale të kualitetit superior”.

Shaqiri gjithnjë do të kujtohet për golat e tij të bukur. Ndër ta ishte edhe kundër Polonisë në një të tetën e finales në “Euro 2016”. Ishte minuta e 82-të kur Shaqiri u shkëput dhe me goditje “gërshërë” dërgoi topin në rrjetë. Ai shënoi për 1:1. Goli i ëndrrave është shfaqur vazhdimisht në televizione. Bëhet fjalë për golin më të mirë të atij Evropiani.

Ndër momentet e veçanta të Shaqirit, ishte edhe goli i qershorit të vitit 2018, në ndeshjen kundër Serbisë në Botërorin “Rusia 2018”. Pas golit, Shaqiri festoi me figurën e shqiponjës.

Shaqiri luajti për Zvicrën edhe në “Euro 2024”, që të dielën përfundoi në Gjermani. Shënoi gol ndaj Skocisë në fazën e grupeve. Ishte supergoli i radhës i tij. Më pas qëlloi traversën nga korneri ndaj Anglisë dhe realizoi penallti. Por nuk mjaftoi që Zvicra ta kalonte çerekfinalen e Evropianit.

“Ai mund ta kuptojë lojën dhe teknika e tij është fantastike”, thotë Hidzfeld.

Por Hidzfeld ka diçka që edhe sot nuk pajtohet. Ai nuk e arsyeton largimin e Shaqirit nga Bayern Muencheni në drejtim të Interit në vitin 2015.

Megjithatë, Hitzfeld vlerëson personalitetin e Shaqirit.

“Dhe mbi të gjitha është njeri i mrekullueshëm”, është shprehur Hitzfeld. Shaqiri është prej më meritorëve, nëse jo më meritori, që Zvicra është bërë përfaqësuese serioze evropiane. Tani Zvicra paraqitet rregullisht në kampionate evropiane e botërore, ndërsa kalimi i grupit as që diskutohet.

Nuk ka diskutim as dashuria që kanë për të dy popujt, zviceranët dhe shqiptarët.