Zdravko Kuzmanoviq është ish-reprezentues i Serbisë, i lindur në Zvicër. Kuzmanoviqi ka luajtur për U21 të Zvicrës e më pas i luajti 50 ndeshje për Serbinë.
Kuzmanoviqi së fundi ka folur për ndeshje Serbi – Zvicër, që zhvillohet sonte në Leskovc.
Ai është pyetur nëse do të tentonte ta bindte Granit Xhakën të mos udhëtojë për në Serbi nëse do të ishte në krye të federatës zvicerane.
“Po, do të tentoja. Do të largonte shumë nga ‘shpërthimi’ në këtë ndeshje dhe do të ishte gjëja më e mirë për të gjitha palët”, ka thënë Kuzmanoviq për “bluewin.ch”.

Ai shpreson që Xhaka do ta ruajë qetësinë edhe nëse provokohet.
“Shpresoj, por nuk e di. Nuk e njoh Granitin, nuk kam luajtur asnjëherë me të dhe nëse mbaj mend mirë as kundër tij. Fakti që ndeshja nuk luhet në Beograd, por në jug, në Leskovc, qartë se nuk e bën më të lehtë për Xhakën, për sa kohë që masa është e brengosur”, ka thënë Kuzmanoviq.
Sipas tij, vendimi që Xhaka ta udhëheqë Zvicrën në Serbi është i guximshëm dhe dëshmon se sa e rëndësishme është ndeshja.
