Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Sylvinho, ka pranuar forcën e Anglisë. Por ai ka thënë se Shqipëria ka punuar maksimalisht për t’i marrë pikë Anglisë. Ai ka thënë gjatë konferencës për media të enjten se lojtarët e Shqipërisë janë të motivuar për të marrë pikë ndaj anglezëve.
Ndeshja Angli – Shqipëri luhet të premten, nga ora 20:45, në stadiumin ikonik të Anglisë “Wembley”.
Do të jetë ndeshje e vështirë, por shumë emocionuese. Nuk kemi pasur kohë shumë për përgatitje dhe duhet të menaxhosh ndeshjet brenda pak ditësh. Kemi menduar vetëm për ndeshjen ndaj Anglisë, pastaj do të jetë ndeshja ndaj Andorrës”, ka thënë Sylvinho.
Kombëtarja kuqezi ka zhvilluar gjashtë ndeshje kundër Anglisë. Të gjitha gjashtë ndeshjet i ka humbur, ndërsa ka shënuar vetëm një gol përballë anglezëve. Por, te Shqipëria janë të motivuar për t’i bërë ballë Anglisë, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2026.
Në Grupin K me Shqipërinë dhe Anglinë janë edhe Andorra dhe Serbia.
“Futbolli është i pabesueshëm dhe gjatë 90 minutave mund të ndodhë gjithçka. Kemi studiuar ekipin e Anglisë. I pëlqen të luajë futboll, ka lojtarë të mirë në përbërje, por për të dyja përfaqësueset është diçka e qartë. Janë 90 minuta të gjatë dhe secili lojtar ka përgjegjësinë e vet. Ne kemi respekt për Anglinë, pasi është një prej përfaqësueseve më të mira në botë. Po ne jemi të përqendruar dhe të përgatitur për ndeshjen ndaj Anglisë”, është shprehur Sylvinho.
Ai ka vlerësuar përzgjedhësin e ri të Anglisë, Thomas Thuchel. Ka thënë se Tuchel është një prej trajnerëve më të dëshmuar në vitet e fundit.
“Tuchel është trajner i ri dhe i mirë. Nuk ka rëndësi si do të luajmë, me tre apo katër lojtarë në mbrojtje. Anglia ka cilësi në skuadër, me lojtarë të fortë fizikisht. Luajnë mirë një kundër një, por ne kemi punuar në të gjitha repartet dhe do të mundohemi të bëjmë diçka të veçantë në këtë ndeshje mjaft sfiduese. Është ndeshje e parë, por duhet ta shijojmë, sepse luajmë në një prej stadiumeve më të bukura në botë. Është momenti për ta shijuar këtë ndeshje”, ka thënë Sylvinho.
Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka premtuar maksimumin përballë lojtarëve të Anglisë.
“Ëndrrat thonë që nuk janë të mundura, por disa ëndrra edhe realizohen. Disa më herët nuk kanë besuar që Shqipëria kualifikohet dy herë në Evropian, kështu që unë nuk jam nga ata tipa që fshihem pas asaj që Shqipëria është kombëtare më e vogël se Anglia. Unë dhe i gjithë ekipi kemi një qëllim. Do të japim gjithçka në fushë dhe pastaj nëse arrijmë kualifikimin do të ishte mirë”, ka thënë Gjimshiti.
Ai thotë se lojtarët e Anglisë janë të nivelit të lartë.
“Forca e tyre dihet, nuk duhet të flasim për lojtarë individualisht. I shohim çdo fundjavë në televizor. Nuk duhet të flasim për lojtarët. Jemi përgatitur mirë dhe trajneri na ka dhënë instruksionet e tij. Ne jemi gati të japim gjithçka në fushë. Kanë qenë pak ditë për t’u përgatitur dhe ne besoj se jemi gati për të treguar përgatitjet tona në fushë”, thotë lojtari i Atalantas.
Gjimshiti ka shtuar se Shqipëria duhet të luajë si grup ndaj anglezëve.
“Unë besoj se ekipi ka një punë të vështirë. Jo vetëm Gjimshiti, apo kushdo që luan ndaj Anglisë. Si ekip duhet ta ndalim sulmin e Anglisë, pasi është sulm i nivelit botëror. Nuk do të jenë duele individuale, por duele skuadrash. Nëse e përballojmë mirë si ekip, do ta kenë të vështirë”, ka thënë Gjimshiti.
Shqipëria e luan më 24 mars në Tiranë ndeshjen e dytë kualifikuese kundër Andorrës.
Kapiteni Gjimshiti pret të paraqitet me Shqipërinë në Botëror. Shqipëria ka marrë pjesë dy herë në Evropian. Së fundi në “Gjermania 2024”.