(E përditësuar - 20:50) - Kombëtarja e Shqipërisë është gati për paraqitje në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”. Në miqësoren e fundit para Evropianit, kuqezinjtë fituan 3:1.
Të premten mbrëma në Szombathely të Hungarisë, Shqipëria e mposhti Azerbajxhanin. Të përzgjedhurit e Sylvinhos janë sfiduar seriozisht nga Azerbajxhani, por u larguan nga fusha si triumfues. Katër ditë më parë Shqipëria kishte fituar 3:0 ndaj Lihtenshtajnit. Dhe tani është koha për sfidat e vërteta, ato në Euro 2024.
Më 15 qershor është ndeshja Itali – Shqipëri. Më 19 qershor Kombëtarja luan ndaj Kroacisë, ndërsa më 24 qershor ndaj Spanjës. Ka shpresë se ajo nuk do të jetë ndeshja e fundit.
Rezultati në ndeshjen ndaj Azerbajxhanit është bindës, por jo edhe paraqitja. Në disa periudha të ndeshjes Azerbajxhani ka shfaqur më shumë. Madje në shumë momente portieri Thomas Strakosha ishte shpëtimtar.
Shqipëria kishte posedim të topit prej vetëm 40 për qind. Azerbajxhanasit i kishin 13 raste gjithsej, ndërsa Shqipëria vetëm dymbëdhjetë. Goditje të sakta, Shqipëria i kishte pesë e Azerbajxhani katër.
Fitorja shërben që kuqezinjtë të udhëtojnë drejt Gjermanisë me disponim të mirë. Por Sylvinhon e pret ende punë që ekipi të jetë në gjendjen më të mirë të mundshme.
Ndeshja nisi mirë për Shqipërinë. Në minutën e 11-të, Nedim Bajrami goditi bukur nga distanca për 1:0. Për golin e dytë është dashur të pritet deri në minutën e 81-të. Një goditje e Rey Manajt pas pasimit të Naser Alijit, u devijua nga një mbrojtës azerbajxhanas për në portë. Ndërkohë golin e tretë për Shqipërinë e shënoi Qazim Laçi në minutën e 87-të. Laçi pranoi bukur topin nga Bajrami dhe goditi fuqishëm nga zona.
Derisa pritej që fitorja të ishte e “pastër”, pa gol të pranuar, Azerbajxhani realizoi. Musa Gurbanli shënoi për 3:1 në minutën e 90-të pas një goditje standarde.
Sylvinho në fushë vendosi ekipin thuajse më të fortë. Me dy ndryshime potenciale, ky ekip pritet të startojë edhe në Evropian. Në qendër të sulmit luajti Armando Broja e në krahë Jasir Asani e Taulant Seferi. Mesfusha përbëhej nga lojtarët e Serie A, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani e Nedim Bajrami. Në qendër të mbrojtjes përkrah kapitenit Berat Gjimshiti u paraqit Arlind Ajeti. Elseid Hysaj ishte në krahun e djathtë të mbrojtjes e Mario Mitaj i zakonshëm në të majtin. Porta iu besua Thomas Strakoshës.
Në pjesën e dytë luajtën edhe Arbër Hoxha, Rey Manaj, Naser Aliji, Enea Mihaj e Qazim Laçi. Në formacionin bazë në Evropian pritet të jetë Etrit Berisha në vend të Strakoshës dhe Ardian Ismajli në vend të Ajetit. Ndryshime të tjera me shumë mundësi nuk do të ketë në formacionin bazë.