Futboll

Kumbulla është “pjekur” tek Espanyoli

Marash Kumbulla

Marash Kumbulla u largua nga Roma për t’iu bashkuar Espanyolit në formë huazimi. 

Mbrojtësi që përfaqëson Shqipërinë, edhe një herë tjetër ka konfirmuar se është i lumtur për zgjedhjen që ka bërë. 

Kumbulla që gjithë karrierën e ka zhvilluar në Itali, te Hellas Verona, Roma e Sassuolo, do të jetë i huazuar deri në fundin e këtij edicioni. 

“Ky klub më ka dhënë vazhdimësi. Kur e mundëm Real Madridin nuk mund ta besoja. ‘Los Blancos’ është klub që nuk vdes kurrë. Edhe kur gjyqtari vërshëlleu për fundin e takimit, nuk isha ende i qetë sepse nuk më dukej e vërtetë”, ka deklaruar Kumbulla të enjten në një intervistë dhën për “Cronache di Spogliatoio”.

“Jam shumë i lumtur që iu bashkova këtij ekip. Pas lëndimit më duhej të luaja dhe pas thirrjes së tyre, për një ditë e gjysmë isha këtu. E kisha parë stadiumin dhe qendrën sportive. Strukturat funksionuese janë të rëndësishme për një futbollist. Ato të bëjnë të qëndrosh më gjatë në qendrën sportive me bashkëlojtarët dhe grupi bëhet më i bashkuar”. 

Kumbulla në Serie A ka zhvilluar në total 77 ndeshje, ndërsa ka kontribuuar me dy gola të realizuar për skuadrat ku ai ka luajtur. 

Në La Liga tashmë i ka 23 paraqitje. Ka shënuar dy gola po ashtu, ndërsa ka marrë gjashtë kartonë të verdhë dhe një tjetër në Kupën e Mbretit. 

Espanyoli aktualisht zë vendin e 15-të me 27 pikë, pas 25 ndeshjeve të luajtura. 

Derbi lokal për Espanyolin është ai kundër Barcelonës. 

Kumbulla luajti për 40 minuta në ndeshjen e parë të edicionit aktual dhe u mposht 3:1 në udhëtim. 

Ai ka treguar për ndjenjën që tifozët kanë kur luajnë ndaj Barçës. 

“Ta kesh Barcelonën më ka treguar se sa të afërt janë tifozët e Espanyolit me ekipin. Ata gjithmonë thonë se ‘Espanyoli është ndjenjë’. Stadiumi është i mbushur plot. Ka shumë njerëz me bileta sezonale dhe e kanë ekipin në zemër. Tifozët tanë janë të vërtetë”, ka deklaruar Kumbulla. 

Derbin e radhës ndaj Barcelonës, Espanyoli e luan në shtëpi më 14 maj.