Futboll

Kullashi: Kalimi tek Interi, hap i madh në karrierën time

Loreta Kullashi

Futbollistja Loreta Kullashi do ta luajë për klubin me nam nga Italia, Inter, në dy vjetët e ardhshëm.

25-vjeçarja ditë më parë firmosi me Interin, ndërsa së fundi ishte te skuadra tjetër italiane, Sassuolo. Te Sassuolo i realizoi shtatë gola e katër asistime në 25 paraqitje në Serie A dhe ky bilanc e ndihmoi të siguronte kontratë tek Interi.

Kullashi është nga Kosova, por e rritur dhe e zhvilluar si futbolliste në Suedi. Pas karrierës te skuadrat suedeze si AIK, Eskilstuna e Rosengard, ajo tashmë po bën emër në Itali.

Futbolli i vajzave në Itali po rritet hovshëm, ndërsa pjesë e këtij zhvillimi është edhe Loreta.

“Jam shumë e kënaqur që kam nënshkruar me Interin. Është një hap i madh përpara në karrierën time dhe një mundësi e madhe për të treguar aftësitë që i kam në futboll”, ka thënë ajo për KOHËN, të mërkurën.

Loreta ka theksuar se Interi po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi ekipit të futbollisteve. Përshtypjet e saj të para në qytetin e Milanos dhe te klubi i ri janë shumë pozitive. Ka treguar se të gjithë e kanë pritur shumë mirë dhe se të gjithë në klub janë shumë profesionistë.

Loreta Kullashi

“Me Interin duam të jemi në mesin e tri skuadrave më të mira në Itali dhe të luajmë në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm. Shpresoj se mund ta ndihmoj ekipin të arrijë këtë qëllim duke shënuar sa më shumë gola dhe duke bërë sa më shumë asistime”, ka vazhduar sulmuesja.

Interin në edicionin e ri e udhëheq Gianpiero Piovani. Ai ishte deri më tani te Sassuolo.

“Fakti që trajneri që kisha te Sassuolo tani është tek Interi, ka ndikuar në transferim. Ai është një nga arsyet pse vendosa të vija tek Interi. Më njeh mirë dhe është i njoftuar për aftësitë e mia”, ka thënë Kullashi.

Ajo pranon që përvojë te Sassuolo e ka ndihmuar të bëj hapin tjetër para në karrierë.

“Kam pasur mundësinë të tregoj veten në Serie A dhe kam fituar shumë përvojë e vetëbesim. Shpresoj që tek Interi të shënoj më shumë gola dhe të kontribuoj me asistime”.

Interi në edicionin e kaluar ishte i pesti në Serie A me 26 pikë. Titullin e fitoi Roma, ndërsa pas saj ishin Juventusi, Fiorentina e Sassuolo.

Tashmë të gjitha klubet e mëdha të Italisë kanë ekipet e futbollisteve. Dhe investimet sa shkojnë e rriten.

Deri në vitin 2018, Interi kishte vetëm ekip të njomakeve. Më 23 tetor të vitit 2018, klubi i madh vendosi të formonte ekipin e futbollisteve. Që në edicionin 2018/19 u promovua nga Serie B në Serie A dhe tashmë ka synime të mëdha.

“Niveli i ligës italiane është rritur shumë në vitet e fundit. Klubet po investojnë më shumë në futbollin e femrave dhe shumë lojtare të mira po vijnë në Itali. Kjo bën që liga të rritet vazhdimisht”, tregon Kullashi.

Ajo ka tri gola në shtatë paraqitje për Suedinë. Suedia e ka futbollin e femrave shumë të zhvilluar dhe përfaqësuesen prej më të mirave në botë. Kullashi nuk është ftuar për shumë vjet,  por shpreson që të ftohet sërish.

“Gjithmonë e mendoj mundësinë e kthimit te përfaqësuesja e Suedisë. Shpresoj që paraqitjet e mia tek Interi të më japin mundësinë të kthehem në përfaqësuese. Në Suedi e kanë pritur shumë mirë kalimin tim tek Interi. Kam pranuar shumë urime”, ka thënë Loreta Kullashi.

Ajo tashmë e ka përvojën në Serie A dhe beson shumë se me Interin mund të luftojnë për titull të kampionit. Shpreson që me golat e saj të ndihmojë drejt këtij qëllimi.