Futboll

Kthimi i Hendersonit tek Anglia, lëvizje e duhur

Jordan Henderson

Kthimi i Jordan Hendersonit tek Anglia është “lëvizje e madhe”, ndërsa 34-vjeçari sjell “mentalitet fituesi” në skuadër, thotë portieri Jordan Pickford.

Mesfushori i Ajaxit, Henderson, është ftuar për herë të parë që nga nëntori i vitit 2023. Selektori i ri i Anglisë, Thomas Tuchel, e përzgjodhi për ndeshjet kualifikuese për Botëror ndaj Shqipërisë dhe Letonisë.

Hendersoni i ka 81 ndeshje me Anglinë, ndërsa të parën e kishte në vitin 2010. Tucheli ka thënë se ish-kapiteni i Liverpoolit “mishëron çdo gjë që ne dëshirojmë të ndërtojmë”.

Portieri Pickford e njeh shumë mirë Hendersonin, pasi të dy ishin te Sunderlandi në fazë të hershme të karrierës. Ishin së bashku edhe tek ekipi i Anglisë që siguroi gjysmëfinalen në Botërorin 2018, finalen në “Euro 2020” dhe çerekfinalen në Botërorin 2022.

Pickfordi mendon se thirrja e Hendersonit dhe mbrojtësit të Newcastle Unitedit, Dan Burn, do ta ndihmojë përfaqësuesen në synimin për ta fituar Kupën e Botës 2026.

“I jemi afruar shumë suksesit të madh. Ishim në dy finale, në një gjysmëfinale dhe në çerekfinale”, ka thënë Pickford.

“Ka të bëjë me hapin para tani. E dimë se çka duhet për të arritur atje. Ka të bëjë me atë që të fitojmë trofeun dhe për këtë ka ardhur selektori i ri. Dan Burn është ftuar për herë të parë dhe kjo është e arritur e madhe për të. E kemi Hendersonin me kaq shumë paraqitje. Ai e ka mentalitetin fitues, ishte fitues në Liverpool si lojtar dhe si kapiten. Është mirë që i kemi këta liderë. Sa më shumë liderë që ke në ekip, më shumë sukses do të sjellin”, ka vazhduar Pickford.

Hendersoni i është bashkuar Ajaxit në janar të vitit të kaluar, pasi kaloi gjashtë muaj në Arabi Saudite te skuadra Al-Ettifaq. Këtë edicion i ka 38 paraqitje, ndërsa Ajaxi është lider në Holandë.

“Ata dy do të rrisin standardin në stërvitje dhe do ta bëjnë kampin më të mirë për të gjithë. Henderson ka shumë dëshirë për të fituar. Dhe ka fituar shumë, kjo është meritë e tij. Ai është fitues dhe lider i madh. Kthimi i Hendos mendoj se është i rëndësishëm për gjithë skuadrën. Ai ishte zëvendëskapiten për shumë vjet. Nuk ishte në Evropianin e fundit, por ishte zëvendësi i Harry Kane në vitin 2018”, ka thënë Pickford.

Ndeshja Angli – Shqipëri është të premten në “Wembley”.