Futbolli ndërkombëtar evropian nis vitin 2025 me çerekfinalet e Ligës së Kombeve dhe me kualifikimet kontinentale për Kampionatin Botëror të vitit 2026.
Luhen edhe ndeshjet për promovim në Ligën e Kombeve të UEFA-s, ndërsa janë edhe disa miqësore. Të angazhuara prej të enjtes e deri të martën e ardhshme do të jenë të gjitha përfaqësueset evropiane.
Spanja përballet të enjten në Rotterdam me Holandën, në ndeshjen e parë të fazës çerekfinale të Ligës së Kombeve. Ndeshja e kthimit është të dielën në Valencia.
Ekipi i drejtuar nga Luis de la Fuente e dëshiron trofeun e tretë radhazi. E fitoi edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve e ndërkohë arriti fitore mahnitëse në Euro 2024.
Spanja e Holanda luajnë për vend në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, ndërsa te Spanja janë yjet më të mëdhenj.
Të enjten prej orës 20:45 janë edhe ndeshjet e tjera çerekfinale të Ligës së Kombeve: Kroacia – Franca, Danimarka – Portugalia, Italia – Gjermania.
Gjysmëfinalet, ndeshja për vend të tretë dhe finalja zhvillohen në fillim të qershorit në Itali apo Gjermani, varësisht se cila prej këtyre përfaqësueseve avancon.
Për herë të parë është përfshirë faza çerekfinale në Ligën e Kombeve. Ky është edicioni i katërt i kësaj gare të UEFA-s, që zëvendëson shumicën e miqësoreve.
Të enjten ka edhe shumë ndeshje të Ligës së Kombeve, të vlefshme për mbetje në nivel të njëjtë apo promovim në nivel më të lartë.
Për shembull, Hungaria luan për mbetje në Ligën A, ndërsa Turqia për kalim nga Liga B në Ligën A. Pos ndeshjes Turqia – Hungaria janë edhe ndeshjet Ukraina – Belgjika, Austria - Serbia, Greqia – Skocia, Kosova – Islanda, Bullgaria – Irlanda, Armenia – Gjeorgjia, Sllovakia – Sllovenia.
Të premten fillojnë kualifikimet Evropiane për Kampionatin Botëror të vitit 2026. Ndeshja e parë është mes Qipros dhe San Marinos, që fillon në ora 18:00. Me shumë vëmendje pritet takimi Angli – Shqipëri, që fillon në ora 20:45. Rumania – Bosnjë-Hercegovina është një tjetër ndeshje e rëndësishme, ndërsa të premten prej orës 20:45 janë edhe takimet Andorra – Letonia, Malta – Finlanda, Polonia – Lituania.
Vetëm përfaqësueset që nuk janë të angazhuara në Ligën e Kombeve fillojnë kualifikimet për Botëror. Ka edhe përfaqësuese si Zvicra, që nuk luan as në Ligën e Kombeve e as në kualifikime për Botëror. Zvicra të premten luan miqësore me Irlandën e Veriut.