Një nga rivalitetet më të reja në Ligën e Kampionëve kthehet të martën, me Real Madridin që shpreson të përfitojë nga pushimi i zgjatur që ka pasur përpara çerekfinales të së martës ndaj Manchester Cityt.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, e ka ndeshjen e 200-të në Champions, të martën prej orës 21:00 në “Santiago Bernabeu”. Ai ka pasur tetë ditë të plota për të përgatitur ekipin që të përballet me kampionin në fuqi, Manchester Cityn. Skuadra e Ancelottit dhe ajo e Pep Guardiolas përballen për herë të tretë rresht në fazën nokaut të Championsit.
City luajti të shtunën ndaj Crystal Palace në Premier League. Guardiola nuk ishte i lumtur për dallimin e madh në kohën që skuadrat kishin në dispozicion për ta përgatitur çerekfinalen e Championsit. Real Madridi ka luajtur së fundi në ligën spanjolle më 31 mars. Fitoi 2:0 ndaj Athletic Bilbaos. Në fundjavën e kaluar u zhvillua vetëm finalja e Kupës së Spanjës.
Ancelotti ka thënë të hënën se ai nuk do të bëjë ndonjë ndryshim të “rrallë” në ekip dhe nuk do të provojë ndonjë gjë shumë më ndryshe në aspektin taktik, për shkak të kohës më të madhe që kishte në dispozicion.
“Është një ndeshje shumë atraktive”, tha Ancelotti. “Kualiteti i dy ekipeve do të na mundësojë të shohim një ndeshje të bukur sa i takon nivelit teknik. Ne mendojmë se do të jemi më mirë në disa aspekte dhe ata mendojnë se do të jenë më mirë në disa të tjera. Pas 180 minutave do të shohim se cili ekip do të avancojë”, ka shtuar tekniku italian.
Madridi e eliminoi Cityn dy edicione më parë. Por City ishte më i mirë se Madridi edicionin e kaluar. Të dy ekipet fituan titullin pasi rrugës eliminuan rivalin e së martës.
Katër ndeshjet e fundit mes dy ekipeve kanë prodhuar plot 17 gola. Bilanci në 11 vjetët e fundit është katër fitore për Cityn, tri për Madridin dhe tri barazime. Me dy ndeshjet e këtij muaji, do të bëhen 12 në 12 vjetët e fundit.
Të dy ekipet po tentojnë të kualifikohen në gjysmëfinale për herë të katërt rresht.
City përballet me mungesa të rëndësishme në repartin defanziv. Por mbetet pretendues shumë i fortë për titull në Champions.
“Natyrisht kemi përvojën e vitit të kaluar, por nuk mendojmë shumë për këtë. Do të përballemi me një Real Madrid të ndryshëm. Madrilenët luajnë ndryshe dhe secili edicion është ndryshe. Ne kemi ardhur duke kaluar në formën thuajse më të mirë të këtij stinori. E njohim njëri-tjetrin shumë mirë, jemi përballur shpesh viteve të fundit. Presim ndeshje të vështirë nesër”, ka thënë mesfushori i Manchester Cityt, Rodri. Sipas tij, City është përmirësuar nga secila paraqitje ndaj Madridit në Champions.
“Tani jemi ekip më i matur, kemi përvojën e triumfit në këtë garë. Kemi ardhur në Madrid me mentalitet tjetër. Shpresojmë se do t’i bëjmë gjërat si duhet nesër mbrëma”, ka shtuar Rodri.
Në çerekfinalen tjetër të së martës mbrëma takohen Arsenali dhe Bayern Muencheni. Derisa Arsenali është në garë për titull në Premier League dhe aktualisht është lider, Bayerni ka humbur garën për titull në Bundesligë dhe po kalon moment të vështirë. Por bavarezët gjithë energjinë e kanë orientuar në Champions, kështu që Arsenalin e pret ndeshje e vështirë.