Edona Kryeziu dhe Endrina Elezaj janë prej lojtareve më të suksesshme në futbollin e Kosovës. Ato kanë fituar çdo trofe të mundshëm në Kosovë. Tani synojnë tjera suksese me skuadrën e madhe kroate, Dinamo Zagreb.
Kryeziu e Elezaj, largohen nga Mitrovica pas shumë edicioneve të kaluara te kjo skuadër. Kryeziu përfaqëson Kosovën dhe për një kohë ishte edhe kapitene, ndërsa Elezaj luan për Shqipërinë.
“Ka ardhur koha që edhe nga futbolli i Kosovës, vajzat tona ta tregojnë veten në klubet evropiane. Ju njoftojmë se pas më shumë se 7 vjetësh bashkëpunim, tashmë kemi ndarë rrugët me Edona Kryeziun dhe Endrina Elezajn, të cilat ishin ndër akteret kryesore për sukseset e klubit tonë për gjithë këto vjet. Së bashku kemi arritur suksese të shumta, kemi fituar plot 12 trofe. Edhe pse na presin sfida të mëdha, ua ofruam mundësinë që këto futbolliste t’i tregojnë vlerat në ligën e Kroacisë, te Dinamo e Zagrebit”, ka shkruar KFF Mitrovica.
28-vjeçarja Kryeziu, që luan si sulmuese e krahut, në futbollin kosovar debutoi si 13-vjeçare në edicionin 2009/10. Prej asaj kohe, Kryeziu ka fituar afro 25 trofe. Me trofe është kurorëzuar në çdo vit, duke fituar Kupën e Kosovës, Super ligen e Kosovës, e në disa raste edhe të dy trofetë madhorë të vendit.
Kryeziu e nisi karrierën te Prishtina, më pas për dy edicione ishte pjesë e Hajvalisë, ndërsa për shtatë edicione luajti për Mitrovicën. Ka afro 50 ndeshje për Përfaqësuesen e Kosovës dhe është futbollistja e dytë me më së shumti paraqitje, pas Kaltrina Biqkajt.
Mesfushorja Elezaj, ka luajtur për skuadrën e Hajvalisë, Mitrovicës dhe Vllaznisë së Shkodrës, ndërsa përgjatë karrierës ka fituar tetë tituj dhe shtatë Kupa të Kosovës. Elezaj është paraqitur për të rejat e Shqipërisë, ndërsa ishte edhe kapitene e grupmoshës U19 të Shqipërisë. Ka 30 paraqitje me senioret e Shqipërisë.
“Të jesh futbolliste e Dinamo Zagrebit është ëndërr e bërë realitet. Dinamo është klub i madh evropian. Kam ardhur këtu për të fituar tituj dhe për t’i shfaqur aftësitë e mia në elitën kroate. Triumfet me Dinamon janë edhe më të mëdha, sesa vetëm të luaj për Dinamon”, ka thënë të premten Elezaj, për faqen zyrtare të klubit kroat.