Kryendeshja e xhiros së tretë në Ligën e Evropës e zhvilluar në Stamboll mes Fenerbahçes dhe Manchester Unitedit, është mbyllur baras.
Fenerbahçe dhe Manchester Unitedi barazuan 1:1 të enjten mbrëma, në ndeshjen që u përcoll edhe me tensione, sidomos nga trajneri Jose Mourinho që u përjashtua me të kuq.
Mourinho në të kaluarën e ka drejtuar edhe skuadrën e madhe angleze.
Christian Eriksen shënoi për 1:0 në të mirë të mysafirëve në minutën e 15-të.
Ai realizoi me gjuajtje të fuqishme e të saktë.
Por vetëm katër minuta pas pushimit, Youssef En Nesyri i barazoi shifrat në 1:1, dhe e vendosi rezultatin përfundimtar.
Mourinho më pas në minutën e 58-të u ndëshkua direkt me të kuq.
Fenerbahçe pas tri ndeshjeve ka pesë pikë dhe zë vendin e 14-të.
Manchester Unitedi e regjistroi edhe barazimin e tretë në po aq ndeshje.
Tani zë vendin e 21-të.
Tottenhami fitoi ndaj AZ Alkmaarit, falë golit të Richarlisonit në minutën e 52-të.
Lazio, Tottenhami dhe Anderlechti janë skuadrat e vetme me nga tri fitore në po aq ndeshje të luajtura.
Lazio e mposhti Twenten 2:0 në udhëtim, njësoj Anderlechti që e mposhti në shtëpi Ludogoretsin.