Ceremonia e ndarjes së çmimeve më prestigjioze në futboll, “Ballon d’Or” do të mbahet në Paris më 28 tetor. Por mbajtja e ceremonisë “Topi i Artë” gjatë kohës së grumbullimit për ndeshjet e plejofit të Evropianit 2025 për futbolliste, ka ngjallur reagime të shumta.
E ashpër në reagim ishte edhe futbollistja e Suedisë, Kosovare Asllani. Asllani ka qenë e nominiuar në vitin 2019 për ta fituar “Topin e Artë”.
Ndeshjet e plejofit për “Euro 2025” janë më 25 dhe 29 tetor.
“Nuk kam koment, nuk ka rëndësi se çfarë themi. Ju e dini se çfarë mendoj”, ka thënë Asllani për “Aftonbladet”, të mërkurën.
Caroline Graham Hansen e Norvegjisë është një nga favoritet për ta fituar “Topin e Artë” të hënën e ardhshme. Një ditë më pas, më 29 tetor, Norvegjia luan ndeshje vendimtare në plejof kundër Shqipërisë. Dhe, për të qenë e pranishme në ceremoni, Norvegjia ka siguruar për të një aeroplan privat. Norvegjezet ndeshjen e parë ndaj Shqipërisë e luajnë të premten në Shkodër.
“Janë lojtaret ato që vuajnë gjithnjë. Bëhet e lodhshme, nuk ka rëndësi se çfarë themi. Mund të vazhdojmë të flasim, por nëse flasim me një mur, çfarë ndryshimi ka?”, pyet Asllani.