Ermal Krasniqi ka shënuar shumë gola për skuadrat ku ka luajtur. Por asnjëri nuk ia dha ndjenjën e golit që e shënoi të shtunën për Kosovën.
Krasniqi, që luan për Sparta Pragën, e shënoi golin e dytë të Kosovës në fitoren 2:1 ndaj Lituanisë në Kaunas. Golin e parë e realizoi Edon Zhegrova.
Krasniqi hyri si zëvendësues dhe realizoi gol të bukur.
“Të shënosh për përfaqësuesen tënde është një ndjenjë shumë e veçantë. Edhe për mua ishte ndjenjë e veçantë. Ju premtoj të gjithë tifozëve ‘Dardanë’ që nuk do të ndalem me kaq, shpresoj që të vazhdoj dhe të shënoj gola për përfaqësuesen tonë”, ka thënë Krasniqi.
Për Kosovën në ndeshjen ndaj Lituanisë debutoi Amir Shaipi. Goli i Lituanisë u shënua pas një gabimi të Shaipit.
“Para se gjithash jam shumë i lumtur që sot munda të debutoj. Nuk po prisja dot të hyja në fushë dhe të luaja sot. Ishte një ndjenjë e pabesueshme”.
Ndeshjen e parë kualifikuese me Kosovën e luajti Muharrem Jashari, që po shkëlqen në kampionatin ukrainas.
“Është një ndjenjë shumë e mirë. E kam pritur shumë gjatë këtë debutim. Është një ndjenjë shumë e veçantë nga ana ime në ato minuta që kam luajtur. Mirëpo jam më shumë i lumtur për fitoren”, thotë Jashari.
Fitores iu gëzua edhe qendërmbrojtësi Lumbardh Dellova. Sipas Dellovës, fusha e stadiumit në Lituani nuk ishte në gjendjen më të mirë.
“Jemi të gëzuar për këtë fitore, duke marrë parasysh edhe terrenin që ishte shumë i vështirë. Nuk ishte për lojën që e dëshironin ta luanim, por me rëndësi ishin tri pikë. Tashmë e kemi lojën me Qipron dhe kjo fitore na jep shumë vetëbesim”, ka theksuar Dellova.
Kosova ndeshjen e ardhshme e ka të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Qipros, nga ora 20:45.