Futboll

Kosovës i lëndohet kapiteni në prag të grumbullimit

Amir Rrahmani

Të hënën është paralajmëruar të mbahet stërvitja e parë e Përfaqësueses së Kosovës në futboll për ndeshjen e parë kundër Islandës të enjten. Ndeshjen e dytë të plejofit të Ligës së Kombeve ndaj Islandës, Kosova e luan më 23 mars.

Por paraqitja e kapitenit Amir Rrahmani te Kosova për ngritje në Ligën B të Ligës së Kombeve, është në dyshim. Rrahmani për shkak të lëndimit u detyrua të zëvendësohet në minutën e 77-të në barazimin 0:0 kundër Venezias, në kuadër të javës së 29-të të Serie A.

Por deri në momentin e zëvendësimit, Rrahmani, ishte prej më të mirëve në fushë.

Për lëndimin e Rrahmanit ka folur edhe trajneri i Napolit, Antonio Conte.

“Nuk mendoj se është ndonjë lëndim i rëndë. Amiri më tha se ndihej i lodhur, kështu që do ta vlerësojmë situatën e tij. Do të marrim edhe një vlerësim nga stafi mjekësor i përfaqësueses së Kosovës. Mund të jetë një shtrëngim në muskul”, ka thënë Conte në konferencën për media pas ndeshjes.

Napoli është në vendin e dytë me 61 pikë. Venezia ka 20 pikë në pozitën e parafundit. Po lufton për mbetje në ligë.

Rrahmani është lider i mbrojtjes te Napoli e po ashtu edhe te Kosova. Kosova është përballur rregullisht me telashe në mbrojtje. Dhe, mungesa e Rrahmanit do t’i shtonte edhe më shumë telashet për përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda. Nivelin në të cilin paraqitet Rrahmani, është bindshëm larg prej qendërmbrojtësve që luajnë për Kosovën.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës, nuk kanë njoftuar nëse Rrahmani do të jetë i gatshëm për ndeshjet ndaj Islandës.

Nga lista aktuale në qendër të mbrojtjes mund të paraqiten Ilir Krasniqi, Lumbardh Dellova, Fidan Aliti dhe Andi Hoti.

Kosova do të jetë pa Edon Zhegrovën, i cili është duke munguar që nga dhjetori.

Te Kosova edhe në grumbullimin e këtij muaji ka lojtarë të ftuar që kanë telashe në klubet e tyre. Për shembull portieri Aro Muriq nuk ka luajtur që nga 1 shkurt për Ipswich Townin në Angli. Lojtari ofensiv, Florent Muslija, lojën e fundit për Freiburgun e Bundesligës gjermane e ka më 3 dhjetor. Ai ka pasur një lëndim më pas, por Foda megjithatë e ka ftuar. Muslija së fundi i luajti dy ndeshje me ekipin e dytë të Freiburgut.