Futboll

Kosovë – Rumani, ndeshja e kaluar mbahet mend për provokimin e rëndë të huliganëve

Kosova - Rumania

UEFA ka ndarë gjoba për thirrjet “Kosova është Serbi”. Thirrje të tilla dhe të ngjashme megjithatë vazhdojnë të dëgjohen në stadiume të futbollit. Duket e pabesueshme, por thirrje të tilla janë bërë edhe në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ato në kujtesë i kthen ndeshja e ardhshme e Kosovës.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll më 6 shtator nga ora 20:45 luan në “Fadil Vokrri” ndaj Rumanisë. Ndeshja i takon Grupit 2 të Ligës C, të Ligës së Kombeve të UEFA-së.

Me Rumaninë në Prishtinë, Kosova kishte luajtur më 16 qershor të vitit të kaluar. Ndeshja kualifikuese për “Euro 2024” kishte përfunduar 0:0. Rezultati u harrua shpejt. Menjëherë më 19 qershor Kosova dëshpëroi edhe më shumë duke humbur 2:1 nga Bjellorusia në Budapest.

Por turpërimi që iu bë Kosovës nga tribuna e stadiumit “Fadil Vokrri”nuk është harruar lehtë. Dhe nuk do të duhej harruar.

Prapa njërës portë ishte një grup prej rreth 40 huliganësh që kishin udhëtuar nga Rumania. Bëhet fjalë për anëtarë të tifogrupit “Uniti sub tricolor”. Gjatë ndeshjes këta huliganë rumunë bënë thirrje si “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi”.

Ky grup nuk e ka njohur dhe nuk e njeh shtetin e Kosovës. Kosovën e konsideron “provincë të Serbisë”.

“Pavarësisht se sa vështirë ishte, ne kryem detyrën tonë”, kishin shkruar huliganët rumunë një ditë pas ndeshjes së kaluar në “Fadil Vokrri”.

Më pas kishin publikuar videon ku qartë dëgjoheshin thirrjet fyese ndaj Kosovës. Në stadium, të paktën në tribunën kryesore, ato thirrje nuk ishin dëgjuar qartë.

Dhjetë minuta pa përfunduar ndeshja, huliganët rumunë ishin larguar me forcë nga stadiumi. I larguan  forcat e sigurisë, pasi nisën thirrjet provokuese. “Shumë armiqësor” e kishin vlerësuar stadiumin në Prishtinë huliganët serbë. Jo për ndonjë përplasje me tifozët vendas, por për shkak të forcave të sigurisë.

“Duke zgjedhur të shkojmë kudo në botë për vendin tonë, ne ishim të pranishëm edhe në këtë udhëtim duke përfaqësuar Rumaninë, duke ripërsëritur zëshëm qëndrimin për statusin e asaj krahine jolegjitime”, kishte shkruar tutje ky tifogrup.

Huliganë rumunë ishin prangosur dhe ishin mbajtur për disa orë në arrest.

Rrugës për në Kosovë ata ishin ndalur në Serbi ku kishin shpalosur pano provokuese ndaj Kosovës. Ndër të tjera edhe flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës.

“Kosova nuk është shtet i vërtetë, por vetëm pjesë e imagjinatës”, shkruante në një pano që “Uniti sub  tricolor” kishte shfaqur në Serbi.

Thirrjet që ishin dëgjuar në “Fadil Vokrri” janë provokimi më i rëndë i tifozëve mysafirë që është bërë deri më tani në ndeshjet e Kosovës në shtëpi.

Për ndeshjen e 6 shtatorit federata rumune nuk ka njoftuar se ka nxjerrë në shitje bileta për tifozët e saj.

KOHA i ka shkruar Federatës rumune dhe FFK-së për atë nëse do të ketë tifozë të Rumanisë në ndeshje.

Në postime të mëhershme “Uniti sub tricolor” ka paralajmëruar ardhjen e sërishme në Kosovë. Por së fundi nuk ka pasur ndonjë paralajmërim për ardhje për ndeshjen e fillimshtatorit. Natyrisht ky grup ka vazhduar me postime që Kosovën e paraqesin pjesë të Serbisë.

Edhe më të rënda provokimet e huliganëve rumunë ishin në ndeshjen e 12 shtatorit të vitit të kaluar në Bukuresht, ku Rumania fitoi 2:0. Por, ishin thirrjet në Prishtinë ato që megjithatë lanë shije më të hidhur.

Një fitore e Kosovës në nismë  të kampanjës së re do të ishte një revansh i pritur.