Suedia lëshoi pikë ndaj Uellsit në ndeshjen e Grupit 4 të Ligës A të Ligës së Kombeve.
Ndeshja e zhvilluar të martën mbrëma u mbyll 1:1, ndërsa Kosovare Asllani ka pasur rast të artë për të realizuar gol në portën e zbrazët.
Asllani ishte titullare dhe luajti deri në minutën e 63-të te Suedia. Në minutën e 10-të ajo kishte mundësi të artë që ta shtynte topin në rrjetë për 1:0, pas gjuajtjes së Johanna Rytting Kanerydit.
“Mendova se topi do të hynte në portë dhe nuk doja ta vidhja atë gol. Kjo ndonjëherë nuk është mirë. Është e vërtetë se tani jam pishman për atë situatë. Por, isha 100 për qind e sigurt se topi do të hynte në portë. Por, për këtë arsye nuk jam sulmuese tipike ndoshta”, ka thënë Asllani, shkruan “Fotboll Direkt” të mërkurën.
Suedia është e para në Grupin A4 të Ligës së Kombeve me tetë pikë pas katër ndeshjeve.
Ka dy pikë më shumë se Italia e Danimarka dhe gjashtë më shumë se Uellsi që është i fundit.