Një muaj më parë përfunduan kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2025 për ekipet përfaqësuese të grupmoshës U21. Rrjedhimisht përfaqësueset e shpresave i shfrytëzojnë ndeshjet e nëntorit për të ndërruar gjeneratën. Njëjtë po veprojnë edhe Kosova e Shqipëria.
Kosova U21 luan dy miqësore me Maqedoninë e Veriut, ndërsa selektori Afrim Tovërlani e publikoi listën të shtunën.
Të dielën listën e zbuloi Alban Bushi, selektori i U21 të Shqipërisë. Kuqezinjtë luajnë dy miqësore me Moldavinë, më 15 dhe 18 nëntor.
Në listën e Bushit është emri i Elmedin Ramës që ka luajtur për U19 të Kosovës. Sulmuesi i Slavia Pragës tashmë ka të drejtë të luajë vetëm për grupmoshën U21.
KOHA ka mësuar se Rama nuk është kontaktuar fare nga Kosova U21. Ndërkohë që Shqipëria U21 e ka përcjellë për kohë të gjatë. Dhjetë ditë më parë nga FSHF-ja në adresë të Slavia Pragës shkoi ftesa për Ramën, për ndeshjet e Shqipërisë U21 ndaj Moldavisë. Ndërkohë nuk kishte ftesë nga Kosova U21, ndonëse Rama vlerësohej prej lojtarëve të talentuar të Kosovës U19.
Rama ka pranuar ftesën e Shqipërisë U21 dhe do të grumbullohet në fillim të javës së ardhshme me kuqezinjtë e rinj. Ai të dielën luajti 66 minuta për ekipin B të Slavia Pragës që barazoi 1:1 me ekipin B të Sparta Pragës. Ndeshja i takoi kategorisë së dytë çeke. Në nëntë ndeshje në këtë nivel garash këtë edicion, shtatlarti Rama ka shënuar tri gola. Kjo duket se nuk është e mjaftueshme për Kosovën U21. Ndërkohë ka mjaftuar që të marrë ftesë nga Shqipëria U21.
I kontaktuar nga KOHA, Rama ka pranuar se ftesa nga FSHF-ja erdhi në klub dhe se ai do të grumbullohet me kuqezinjtë.
“Shpresoj të paraqitem mirë dhe të arsyetoj besimin. Do të jap më të mirën gjatë grumbullimit”, ka thënë Rama.
Ai i luajti gjashtë ndeshje kualifikuese me Kosovën U19 në ciklin e kaluar kualifikues për Evropian, ndërsa e realizoi një gol.
Në listën e Alban Bushit ka edhe lojtarë të tjerë me rrënjë nga Kosova. Është ftuar sërish Ermir Rashica, që po ashtu ishte te Kosova U19.
Edhe në të kaluarën ka pasur plot raste kur lojtarët kanë kaluar nga përfaqësueset e grupmoshave të reja të Kosovës në grupmoshat e Shqipërisë. Shpesh pasi nuk janë llogaritur më te Kosova. Disa prej tyre kanë arritur edhe te Shqipëria A.