Shpresat e Kosovës kanë edhe dy ndeshje deri në fund të ciklit kualifikues për “Euro 2025”. Të parën e zhvillojnë të premten nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndaj Polonisë, ndërsa të martën e ardhshme i mbyllin kualifikimet tek Estonia.
Kosova U21 pas tetë ndeshjeve zë vendin e katërt në grupin D me 12 pikë, aq sa ka edhe Bullgaria në vendin e tretë. Polonia në vendin e dytë ka 18 pikë, ndërsa prin Gjermania me 22 pikë.
Izraeli e Estonia janë në dy vendet e fundit dhe pa gjasa për të avancuar tutje.
Fituesi i grupit kualifikohet në Evropian kurse i dyti luan në barazh.
“Polonia ka qenë favorite e grupit së bashku me Gjermaninë. Por, e jona është ta japim maksimumin dhe ta bëjmë më të mirën për të nxjerrë një rezultat pozitiv. Kuptohet që duhet të jemi të matur sepse kemi të bëjmë me një skuadër shumë të mirë. Por megjithatë do të insistojmë që ta marrim maksimumin e asaj që do të na jepet mundësia”, ka thënë të enjten selektori Afrim Tovërlani, për faqen zyrtare të FFK-së.
Rezultat pozitiv synojnë edhe Milot Avdyli e Veton Tusha.
“Stërvitjet kanë shkuar mjaft mirë. Jemi bazuar në lojërat e kaluara të Polonisë. I kemi analizuar ato dhe kemi bërë detyrat tona në stërvitje siç është më së miri. Besoj se kemi punuar mjaft mirë taktikisht që të dalim me një rezultat pozitiv”, është shprehur Avdyli, që luan në kategorinë e dytë të futbollit zviceran, tek Aarau.
Ndërkohë Tusha, që aktivizohet te Drita në Superligën e Kosovës, ka kërkuar edhe përkrahjen e tifozëve.
“Do të luajmë në vendin tonë dhe normal se është një emocion i mirë pasi presim të ketë edhe shumë tifozë të na përkrahin. Shpresojmë në rezultat pozitiv. Ka pasur atmosferë të jashtëzakonshme. Kemi qenë edhe si grup shumë mirë pasi që njihemi për një kohë të gjatë”, deklaroi Tusha.
Kosova U21, siç ka shkruar UEFA, ka ende shpresa për kualifikim në Evropianin që do të organizohet në Sllovaki, përkatësisht për kalim në fazën e plejofit.
Sipas UEFA-s, Bullgaria ka goldallim më të dobët se Polonia në ndeshjet e ndërsjella dhe nuk mund të përfundojë në vendin e dytë. Kosova e humbi ndeshjen e parë 3:0 në Poloni dhe për të mbetur me shpresa për pozitën e dytë, duhet të fitojë ndaj polakëve me tri apo më shumë gola dallim të premten mbrëma. Kjo vlerësohet pak e mundur. Edhe me fitore të thellë, çdo gjë do të vendosej në xhiron e fundit.