Futbollistët e Kosovës U17 i kanë nisur përgatitjet për ndeshjet e raundit të dytë të Ligës B të kualifikimeve për Evropianin e vitit 2025 që mbahet nga 19 maji deri më 1 qershor në Shqipëri.
Për grumbullimin treditor në Kampion Nacional të FFK-së në Hajvali, përzgjedhësi i Kosovës U17, Arbnor Morina, ka ftuar 20 futbollistë.
“Dardanët” e rinj udhëtojnë drejt Qipros të mërkurën, ku edhe do të zhvillohet turneu i Grupit 4B. Me Kosovën dhe Qipron në grup janë edhe Andorra dhe Moldavia.
Kosova U17 ndeshjen e parë e luan kundër Andorrës më 7 mars nga ora 11:00. Në të njëjtin termin Kosova luan pas tri ditësh ndaj Moldavisë, derisa kundër Qipros luan më 13 mars nga ora 15:00.
Te Kosova synojnë rezultate pozitive në Qipro, përkatësisht të sigurojnë kalimin në Ligën A në kualifikimet e ardhshme të grupmoshës U19.
Vjet Kosova U17 ra nga Liga A. E mbylli me një pikë garën në Grupin 4 të Ligës A. Nga Liga B kualifikimi në Evropian nuk është i mundur.